
Procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë ka nxitur debate të ashpra mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, me ish-ministrin Selim Selimi, në emisionin “Tempus” në KTV.
Selimi ka thënë se qasja e Qeverisë për vetingun dhe ndaj sistemit të drejtësisë është qasje e disiplinimit, e sipas tij, politika nuk mund të disiplinojë as prokuror e as gjyqtar. E, kjo u kundërshtua menjëherë nga Haxhiu e cila e quajti qasje të gabuar pasi tha se politika nuk do ta bëjë vetingun.
Selimi u përgjigj se konceptdokumentin e ka bërë vetë ekipi i ministres pa bashkëpunimin e akterëve tjerë.
“Unë kam thënë veting po, por jo politika me bë veting. Konceptdokumentin e kanë bërë vetë, po thoni se nuk ka ardhur KPK-ja, a e dini pse nuk ka ardhur sepse po doni me e kapë KPK-në”, tha Selimi, i cili mori kundërpërgjigje nga Haxhiu që e quajti të pavërtetë një gjë të tillë.
Haxhiu përmendi të gjithë akterët që sipas saj kanë marrë pjesë në atë konceptdokument.
“Z. Selimi a do të tërhiqeni nga fjala juaj nëse del që edhe Ambasada Amerikane, edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, edhe Ambasada Britanike, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial kanë qenë pjesë e konceptdokumentit për vetingun të sistemit të drejtësisë”, pyeti Haxhiu e cila mori përgjigje me kundërpyetje nga Selimi.
“A e pranoni hapjen e Kushtetutës, a i pranojnë ministrat amendamentet kushtetuese? A i pranon Ambasada Britanike ndryshimet kushtetuese, BE-ja”, i tha Selimi.
Ndërsa, Haxhiu duke u rikthyer në deklaratat e mëparshme të Selimit se Qeveria po iu qëndron me kërbaç mbi kokë prokurorëve dhe gjyqtarëve, tha se ish-Qeveria Haradinaj e pati bërë një gjë të tillë.
“Z. Selimi a e dini çka do me thënë kërbaç mbi prokurorët dhe gjyqtarët, kërbaçët e keni pasur në rastin kur ka qenë kryeministër z. Haradinaj sepse ai ka nxjerrë vendim që prokurorit Elez Blakaj për 30 ditë me dërgua lëndën për veteranët. Çka ndodhi sot, prokuroi Blakaj u detyra për shkak të presioneve ta lëshojë Kosovën”.
Teksa Selimi përmendi rritjen e rrogave gjatë Qeverisë Haradinaj.
“Nuk është e vërtetë. Gjatë qeverisjes së Haradinajt për tu fuqizuar prokuroria dhe gjyqësori, i është rritur rroga prokurorit të gjyqësorit. Asnjëherë politika nuk është përzier në prokurori e as në gjyqësor. Kërbaçin e keni ju ministre. Kjo qeveri është qeveri që po do ta kapë prokurorinë dhe gjyqësorin”.
Por, Haxhiu i tha se Haradinaj as nuk e dinte se paga do t’u rritej edhe atyre kur mendjen e kishte ta rriste vetëm atë të veten.
“Sa i përket pagave, Haradinaj ka dashur t’ua rrisë pagën vetes, jo prokurorëve e gjyqtarëve, bile as nuk e ka ditë që ajo implikon edhe rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Haxhiu.