
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka qenë e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në privatizimin e KEK-ut ne kohën sa ajo ka qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
Madje në vitin 2015, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj saj për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Kryeministri Albin Kurti, në paraqitjet e fundit po i akuzon pandërprerë qeveritë e kaluara, se me “afera korruptive” e kanë sjellë krizën energjetike në vend. Por, Kurti po harron të shoh rreth vetës. Ai në asnjë nga paraqitjet e tij nuk e ka përmendur bashkëpunëtoren e tij të ngushtë, Shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka qenë pjesë e komisionit për privatizimin e distribucionit të KEK-ut.
Ndaj Mimoza Kusari-Lilës, në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë për hidrocentralet që prodhojnë energji elektrike.
Për këtë rast, katër ish-ministrat Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe 15 persona tjerë akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013 njëzëri kanë votuar që hidrocentralet që prodhojnë energji elektrike si Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, që të transferohen te Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Kusari – Lila mungoi në seancën e fundit të 26 tetorit dhe seanca për hidrocentralet u shty për një herë tjetër.
Megjithatë, në tërë këtë kaos energjetik, për dallim nga kryeministri Kurti, Kusari-Lila ditë më parë kur foli për krizën energjetike, nuk e përmendi qeverisjen 20 vjeçare, duke thënë se shkaktar është shtrenjtimi i gazit.
Kryeministri Kurti gjatë ditës së sotme ka thënë se shkaktar për krizën energjetike është korrupsioni qeveritar i bërë zakon, që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.
“Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellë në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë, ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, KEDS-i kishte paralajmëruar reduktim vetëm dy orë në ditë, megjithatë që kur kriza energjetike kaploi Kosovën, reduktimet kanë qenë më të gjata. Qytetarët vazhdimisht janë ankuar për orë të tëra pa rrymë, ndërsa Qeveria vazhdimisht e shpërndante fajin tek qeveritë e kaluara.