
“Vendim politik dhe i pa zbatueshëm”, kështu është quajtur vendimi i Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Gjendja emergjente me energji elektrike në vend ka detyruar Qeverinë e Kosovës të marr një vendim për një veprimtari ilegale që zhvillohet kryesisht në Veri të vendit.
Gazeta Insajderi
Analisti ekonomik, Safet Gërxhaliu tha për Insajderin se ky vendim është i pamatur dhe ad-hok. Sipas tij, do të jetë e vështirë që institucionet e vendit të arrijnë të kenë ndikim për të ndaluar prodhimin e kriptovalutave në veri.
“Beteja me energjie elektrike në Kosovë është shumë ma herët e jo tani. Prandaj besoj që në këtë drejtim duhet të kemi maturi e të kemi vërtetë alternativa si në çka edhe si do të veprohet në të ardhëm e jo të merren vendime ad-hoc, edhe qytetarët e dinë se në veri rryma nuk është paguar që nga paslufta dhe në këtë drejtim besoj se është një vendim që është shumë vështirë të zbatohet duke e ditur sa kanë qasje qeveria e Kosovës në Veri”, është shprehur Gërxhaliu.
Prodhimi i kriptovalutave në Kosovë ka lulëzuar prej vitesh e kjo fal kontrabandës dhe krimit të organizuar.
“Në këtë drejtim duhet të kuptohet në Veri nuk prodhohen këto kriptovaluta në formë vetanake por janë të lidhura edhe qarqe të tjera të Kosovës. Prandaj besoj që nëse arrihet monitorim dhe kontroll mund të ketë efekte që do të ketë rritje të shërbimeve elektrike”, tha ai
Gërxhaliu mendon se ky vendim është shumë më tepër e natyrës politike se sa e natyrës ekonomike.
“Kjo natyrë e biznesit nuk kanë qenë të legalizuara nga institucionet vendore e kanë shfrytëzuar vakumin politik të shfrytëzojnë me energji elektrike. Nëse qeveria arrin t’ia ndaloj këtë lum të ndalesës do të jetë një hap që do të sjell ndikime pozitiva “, tha ai.
Sot, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë vendim që të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Siç ka thënë ajo, vendimi është marrë bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, i cili është themeluar në fund të vitit të kaluar.
“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për ‘Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë’. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore”.
“Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli në profilin e saj në Facebook./Gazeta Insajderi/
Dokumentari i InDoks: