Kisha Ortodokse Serbe: Kurti e Konjufca po thonë të pavërteta për çështjen e pronës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kisha Ortodokse Serbe: Kurti e Konjufca po thonë të pavërteta për çështjen e pronës

    Insajderi
    06 February 2022 - 22:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kisha Ortodokse Serbe, ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra nga kryeministri Albin Kurti e kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, rreth çështjes gjyqësore të Manastirit të Deçanit.

    Në reagimin e kishës thuhet se deklarimet e Kurtit e Konjufcës janë të pavërteta për pronën e këtij manastiri, dhe se këto deklarata e minojnë vendimin e gjykatave, teksa këtë e quajnë të paprecedentë në rajon.

    “Thelbi i vetëm i deklaratave të të gjithë këtyre zyrtarëve është se në fakt asnjë ligj apo vendim gjyqësor nuk zbatohet për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë”.

    “Nëse e shikojmë shkurtimisht vetë procedurën gjyqësore, mund të shohim se ajo ka zgjatur gjashtëmbëdhjetë vjet para gjykatave të Kosovës. Gjatë atij procesi Manastiri i Deçanit ka pësuar jo vetëm kërcënime, por edhe sulme fizike dhe të armatosura, protesta të organizuara, tentime për të bllokuar hyrjen në manastir dhe fushata shpifjeje”, thuhet në reagimin e kishës, përcjell Klankosova.tv.

    Më tej, ata thonë se kjo çështje nuk mund të krahasohet me asnjë, siç e quajnë ata, propagandë të pas Luftës së Dytë Botërore

    “Edhe pas një procesi të tillë, institucionet vendore vazhdojnë të refuzojnë zbatimin e vendimit dhe ndryshimin e kadastrës (për gati gjashtë vjet), pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili si i tillë është përfundimtar dhe i parevokueshëm”.

    “ Veprime të tilla jo vetëm që pasqyrojnë situatën në institucionet e Kosovës, por edhe zbulojnë diskriminim të hapur ndaj Kishës Ortodokse Serbe. Për më tepër, veprime të tilla tregojnë qartë se si do të ishte fati i Kishës Ortodokse Serbe në këtë zonë, nëse do të lihej tërësisht në mëshirën e institucioneve të Kosovës, nga cilido grup politik”, thuhet më tej në reagim.

    Dioqeza e kësaj kishe më tej thotë se institucionet e Serbisë bëjnë thirrje të vazhdueshme për dialog me Kosovën, por sipas tyre, dialogu nuk është i mundur me ata që në çdo hap demonstrojnë diskriminim  të hapur etnik e fetar si dhe mos gatishmëri për të respektuar ligjet e tyre.

    “Që nga dita e parë pas konfliktit të armatosur të vitit 1999, Kisha jonë mori pjesë në dialogun me institucionet e Kosovës dhe punoi aktivisht në ndërtimin e besimit dhe urave, gjë që është e njohur për komunitetin ndërkombëtar”.

    “Prandaj, zbatimi i këtij vendimi nga kjo apo një nga qeveritë  e ardhshme është një kusht i domosdoshëm për të na treguar se dialogu nuk do të ishte vetëm një shfaqje për kamerat dhe zyrtarët e huaj dhe se ekziston një gatishmëri e vërtetë për të ndalur një fushatë sistematike diskriminimi  dhe armiqësi të hapur ndaj kishës ortodokse serbe”, thuhet në deklaratën e kishës, transmeton Klankosova.tv.

    Komunikata e kishës vazhdon duke thënë se institucionet e Kosovës kanë ende çështje të hapura dhe obligime të paplotësuara, por, sipas tyre, zgjidhja e çështjes së tokës së Manastirit të Deçanit është minimumi i nevojshëm për të ecur para.

    “ Trajtimi i vazhdueshëm publik i Kishës sonë si një institucion politik apo një përfaqësues politik, i cili është i pabazuar, tregon një keqkuptim themelor të konceptit të lirisë dhe barazisë së institucioneve fetare në një shoqëri moderne demokratike”.

    “ Deklaratat e papërgjegjshme mediatike, komentimi arbitrar i vendimeve të formës së prerë të gjykatës dhe krijimi i konfuzionit në opinion rrezikojnë gjithashtu sigurinë e Kishës Ortodokse Serbe, vendet e saj të shenjta, priftërinë, manastiret dhe besimtarët dhe është në kundërshtim me të gjitha standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e kishës, transmeton Klankosova.tv.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark