
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është zënë ‘ngushtë’ sot nga gazetarët në konferencën për media ku po fliste për sulmet ndaj policëve në veri të vendit.
Sveçla u pyet lidhur me punësimin e motrës së tij, Magbule Hyseni në Ministrinë e Bujqësisë për të cilin ekskluzivisht raportoi Gazeta Insajderi. Derisa gazetarja po e bënte pyetjen nga pamjet shihet se drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetit i shkon buza në gazë.
Pavarësisht reagimit të Mehmetit, Sveçla e cilësoi pyetjen si ‘budallallëk’.
“Ne po flasim për një sulm terrorist e ju merreni me budallallëqe të këtilla”, tha ministri i Brendshëm përcjell Insajderi.
Gazetarja ia ktheu se s’mund të quhet budallallëk pyetja që e parashtroi.
“Nuk mund të quhet budallallëk kjo pyetje kur ju dhe partia juaj keni qenë zëri më kritik në opozitë për punësimet familjare”, tha gazetarja.
Ndërkaq, Sveçla tha se në konferencë e jashtëzakonshme që është thirrur do të flasin vetëm për sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri.
“Të nderuar media unë veç se ju thashë që është një konferencë e jashtëzakonshme që ka të bëjë me një varg sulmesh terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe do të flasim vetëm për këtë”, tha ai.