×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Ekskluzive | Motra e Xhelal Sveçlës punësohet në Ministrinë e Bujqësisë

    Insajderi
    04 April 2022 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Motra e Xhelal Sveçlës, Magbule Hyseni, është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Gazeta Insajderi sjell ekskluzivisht detajet mbi angazhimin e saj.

    Magbule Hyseni, është motra e Xhelal Sveçlës, ministrit të Punëve të Brendshme të shtetit.

    Ky fakt nuk do të përbënte lajm, nëse motra e Sveçlës nuk do të punësohej së fundmi në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zbulon Gazeta Insajderi.

    E njëjta, është angazhuar në pozitën Zyrtare për Rrjetin Kombëtar Rural dhe partnerët e tjerë socialë për përgatitjen e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR), në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

    Ky projekt implementohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe financohet nga kredia e Bankës Botërore, shkruan Gazeta Insajderi.

    Të dy këto institucione, Ministria e Bujqësisë dhe Banka Botërore e kanë konfirmuar punësimin e Magbule Hysenit në dikasterin e udhëhequr nga ministri Faton Peci, i emëruar nga kryeministri Albin Kurti.

    “Znj. Hyseni ishte angazhuar në Departamentin e Politikave të Zhvillimit Rural/Autoriteti Menaxhues brenda MBPZhR-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë për Gazetën Insajderi.

    Hyseni për këtë pozitë është zgjedhur nga Ministria e Bujqësisë, bazuar në procedurat e prokurimit të Bankës Botërore.

    “Procesi i përzgjedhjes për stafin që punon në zbatimin e projektit është përgjegjësi e agjencisë zbatuese, në këtë rast Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore për Gazetën Insajderi.

    Komisioni Vlerësues për angazhimin e Hysenit, motrës së Sveçlës, është përbërë nga anëtarë të projektit dhe anëtarë të MBPZhR-së.

    Paga e Hysenit nga ky angazhim në kuadër të projektit të Bankës Botërore, e që implementohet nga Ministria e Bujqësisë, është 423 euro, sipas koeficientit të paraparë në konkurs, ekuivalente me gradën 7 të Shërbyesit Civil.

    Mbi krejt këto çështje, Gazeta Insajderi e ka pyetur edhe Magbule Hysenin, por e e njëjta nuk ka kthyer përgjigje, ndonëse pyetjet në adresë të saj kanë shkuar para katër ditësh.

    Projekti i Bankës Botërore, në të cilin është angazhuar Hyseni, ka për qëllim përmirësimin e produktivitetit dhe qasjes në tregje të përfituesve të projektit në nënsektorët e hortikulturës dhe blegtorisë në Kosovë dhe forcimi i kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

    Data e përfundimit të këtij projekti ku u angazhua motra e ministrit Sveçla, është më 30 qershor 2022.

    Ndryshe Gazeta Insajderi, më 25 mars, ka shkruar ekskluzivisht edhe për punësimin e Nermin Pakashticës. Kjo e fundit është motra e gruas së Taulant Kurtit, vëllaut të kryeministrit Albin Kurti, e cila është zgjedhur fituese e një konkursi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, të financuar poashtu nga Banka Botërore./Gazeta Insajderi/

    Lexo më shumë rreth punësimeve të të afërmëve të zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, në kohën e qeverisjes së Albin Kurtit:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark