
Deputetë e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë, shkruan Insajderi.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë me dije se deri në orës 12:30 do të jenë në pauzë.
“Nuk ka pasur kuorum për ta votuar këtë pikë, kështu që shkojmë në pauzë”, tha Konjufca përcjell Insajderi.
Seanca e sotme ka nisur me fishkëllime e goditje të tavolinave të Kuvendit opozita duke ia vështirësuar pozitës që ta vazhdojë seancën e Kuvendit.
Krejt kjo pasi po kërkojnë fillimisht formimin e Komisionit hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon komision hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike, për të gjitha transaksionet dhe ngritjen e çmimit të energjisë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar që Kuvendi nuk duhet të marrë asnjë vendim tjetër deri në themelimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit me krizën energjetike dhe shtrenjtimin e energjisë në Kosovë.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mbështetur kërkesën e opozitës për themelim të komisionit hetimor parlamentar për çështjet e energjisë.