
Dy javë më parë në një prononcim për Gazetën Insajderi, kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj paralajmëroi veprimet e para sindikale që do ti ndërmarrin në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Kërkesa kryesore e SBASHK-ut është që deri në implementimin e ligjit të pagave, mësimdhënëseve të ju jepen nga 100 euro shtesë në muaj.
Në të kundërtën Jasharaj tha se do të fillojnë me siç i quan ai veprime të përshkallëzuara.
E kështu edhe pritet të ndodhë, Jasharaj konfirmoi për Insajderin se nesër (12 maj), do të mbahet grevë një orëshe nëpër institucionet arsimore, teksa kanë filluar përgatitjet edhe për protestën e 20 majit.
Jasharaj shtoi se grevës do ti bashkëngjiten edhe sindikatat e tjera.
“Në takimin që e kemi pasur, që jemi pjesë e BSKP-së edhe sindikatat tjera janë pajtuar me idenë që me 12 maj të shkojmë me një grevë 1 orëshe në tërë sektorin publik, pastaj edhe me protestën e 20 majit që jemi duke bërë angazhime që të përgatitemi sa më mirë, të jemi të gjithë federatat”, konfirmoi Jasharaj për Insajderin.
Ai sqaroi se si do të mbahet greva në të gjitha nivelet e arsimit.
“Ora e parë e punës, në çerdhe në orën e parë nuk do ti pranojnë fëmijët derisa të kryhet ora e grevës, pastaj në arsimin para universitar shkohet paradite në orën e parë, dhe pasdite në ndërrimin e dytë në orën e parë ndërsa nga ora 10:00 deri 11:00, në universitetet e Kosovës do të ketë grevë njëorëshe”, u shpreh kreu i SBASHK-ut.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologji dhe Inovacionit (MAShT), Arbërie Nagavci kishte deklaruar se nuk është koha për greva të cilët janë paralajmëruar nga SBAShK-u. Sipas saj, Qeveria e Kosovës po punon shumë dhe grevat e protestat janë të panevojshme për shkak të humbjeve në mësim të nxënësve.
/GazetaInsajderi