
“Festa e Abetares” të martën në qytetin e Pejës u shënua me një skandal. U shpërfaqë racizmi. Një grup i nxënëseve të pakicës u panë anash gjatë festës që po bëhej. Deri tani ndaj askujt nuk është marrë ndonjë masë. Me rastin tani për tani është duke u marrë Inspektorati i Arsimit në Komunën e Pejës.
Kështu ka konfirmuar për Insajderin drejtori i Arsimit në këtë komunë, Naser Gega derisa insistonte që rasti s’ka të bëjë me diskriminim racor.
“Sot gjatë ditës kemi takim me Inspektoratin është duke i bërë vëzhgimet neutrale dhe gjithsesi do të ballafaqohemi me gjendjen reale”, u shpreh ai.
Ska nevojë për zbukurim të situatës thotë ai.
“Nuk kemi nevojë as me ledhatu dikë as me zbukuru situatën. Ajo çka është 1 milion e sigurt është që diskriminim me vetëdije nuk ka pasur as pa vetëdije. Inspektorati i ka hulumtimet e veta të pavarura, do të marrë mendimin zyrtar tyre ata janë të urdhëruar edhe nga Ministria, konkretisht prej ministrisë dhe fjala e tyre është amin për neve”, deklaroi Gega për Insajderin.
Gega po i fajëson gazetarët për mënyrën e raportimit. Tha se nuk e prezantua gjendjen reale.
“Gazetarja ka shfrytëzu një pamje, fotoja që është prezantu është diskriminuese që edhe është reale nuk mundemi me kontestu, sepse shihet ai rrjet i gjatë ta merr mendja që kemi qu të burgosur atje, është dashtë të prezantohet gjendja më reale”, ka thënë ai.
Ky rast ngjalli reagime të shumta. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook ka premtuar se këtë rast do ta shqyrtojnë me prioritet me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Pejës.
“Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të jetës!”, ka shkruar Nagavci.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka kërkuar nga institucionet që të thirren në përgjegjësi personat përgjegjës.
“Si ministër, si qytetar i këtij komuniteti dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, përveçse e dënoj ashpër këtë gjest, ftoj institucionet që të thirren në përgjegjësi personat kompetent, të cilët e kanë bërë këtë gjest të rëndë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Mësuesja, Xhylfidane Morina, deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me diskriminim dhe se ishte veç një rastësi. Po ashtu e njëjta tha se kjo ishte dhe dëshirë e nxënësve.
Ndërkohë drejtori i shkollës mohoi se nxënësit janë ndarë anash, por thotë se janë sistemuar aty pasi nuk i takojnë klasës së parë.
“Ai komunitet prej 10 nxënës kanë shprehë vullnet me ardhë me pa programin. Ata nuk janë bashkëmoshatarë të klasës së parë. Kanë shpreh vullnet me ardhë me pa programin dhe janë sitemuar aty. Ne jemi ata që çmos jemi duke bërë për komunitetet. Le të vjen veç dikush ta tregon gishtin tek kjo shkollë gabon rëndë. Në çdo mënyrë jemi duke munduar ti integrojmë. Ata fëmijë nuk janë 6-7 vjeçarë, janë diku 8,9 e 10 vjeçarë. Mësuesja i ka marrë dhe i ka sistemuar me lejen time. Janë të klasës së dytë, tretë dhe katërt”, u shpreh ai në Kanal 10.
Nga Këshilli i Prindërve kanë deklaruar se nuk duhet të tolerohen veprime të tilla teksa kanë kërkuar përgjegjësi institucionale.
“Pamje të tilla nuk duhen toleruar asnjëherë! Si Këshill i Prindërve të Kosovës i shprehim sinqerisht keqardhjen, por edhe mbështetjen tonë, fëmijëve të diskriminuar, familjeve të tyre dhe gjithë atyre që natyrshëm janë prekur nga një akt i tillë! Kërkimfalja dhe marrja e përgjegjësisë nga institucionet përgjegjëse janë vendim i duhur në këtë rast”, thonë nga Këshilli i Prindërve.
Është raportuar se në shkollën fillore “Xhemajl Kada” në Pejë kishte klasë të ndara vetëm për nxënësit e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian.
/GazetaInsajderi