Insajderi
Lajme

Kurti: Qasja e Serbisë te fondet amerikane të kushtëzohet me dënimin e invazionit rus

Insajderi
20 May 2022 - 12:47
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kurti: Qasja e Serbisë te fondet amerikane të kushtëzohet me dënimin e invazionit rus
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Progresi në një vit qeverisje, reformat e nisura në drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe ruajtja e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon, thuhet se u diskutuan në takimin që kryeministri Albin Kurti pati me kongresisten amerikane Carolyn Maloney, njëherësh kryesuese e Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reforma.

Kurti, sipas komunikatës qeveritare, citohet të ketë thënë se përmirësimi i indikatorëve të demokracisë në njërën anë dhe qeverisja e mirë e luftimi i krimit dhe korrupsionit në anën tjetër, janë themeli i një rritje të qëndrueshme ekonomike që i duhet vendit.

Ai theksoi angazhimin e Qeverisë dhe përparimin në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, duke veçuar ngritjen e Kosovës për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe renditjen si të parët në rajon sipas “World Justice Project”.

Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri ritheksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

Qeveria e Kosovës angazhohet dhe është e vendosur që kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara, tha kryeministri Kurti.

Po ashtu, bëhet e ditur se është diskutuar edhe invazioni dhe agresioni rus në Ukrainë dhe rreziku që paraqet për destabilizimin e rajonit, marrë parasysh lidhjet e afërta të Rusisë me Serbinë, e cila për dallim nga Republika e Kosovës, nuk është rreshtuar me botën demokratike në dënimin dhe sanksionimin e agresorit.

Kryeministri tha se qasja e Serbisë te fondet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të kushtëzohet me dënimin e plotë të invazionit rus dhe sanksionimin e luftës ilegale të Rusisë në Ukrainë.

Kongresistja Maloney e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës, që u rreshtuan përkrah ShBA-së dhe BE-së lidhur me invazionin rus në Ukrainë dhe për ndihmën e ofruar refugjatëve afganë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark