
Fabrika e kërpudhave në Mitrovicë, që ishte një prej premtimeve kryesore të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, së shpejti pritet të fillojë punën.
Këtë e ka konfirmuar shefi i Agim Bahtirit tek Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili u zotua për ndërtimin e fabrikave të tjera në disa komuna të Kosovës.
“Fabrika e kërpudhave në Mitrovicë tanimë është gati për të filluar (shpejt do të bëhet edhe hapja) eksportin e saj në Evropë! Lajm shumë i bukur ky. Vazhdojmë me fabrikat të tjera, shpejt në Gjakovë, Ferizaj dhe Lebanë të Prishtinës”, ka thënë Pacolli.
Pacolli është ankuar se Qeveria e Kosovës ka penguar realizmin e këtij investimi.
“A mundeni me e marrë me mend se Qeveria e Kosovës vetëm çka ka penguar në tërë rrugëtimin e kësaj fabrike, ka bllokuar çdo mundësi dhënie ndonjë hapësire për të ngritur këtë aktivitet. Është dashtë të marrim toke me qira për të ngritur këtë veprimtari përkrah shumë hapësirave që rrinë bosh”, shkruan Pacolli në Facebook.
Kryetari i Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri, në dhjetor të vitit të kaluar kishte premtuar se në Mitrovicë do të hapen pesë fabrika, prej tyre në vitin 2016.
Pacolli e ka falënderuar kolegun e tij Bahtiri për angazhimin në realizimin e këtij projekti/Insajderi.com