​Komuna e Prishtinës me strategji 10-pikëshe për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    ​Komuna e Prishtinës me strategji 10-pikëshe për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë

    Insajderi
    27 June 2022 - 16:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prishtinës konsideron se zgjidhja e problemit të qenve endacakë mund të bëhet vetëm nëse vullneti i mirë i kryeqytetit do të shoqërohej me një vullnet të tillë edhe nga komunat tjera, përfshirë dhe në veçanti edhe nivelin qendror.

    Në një komunikatë për media thuhet se zgjidhja e këtij problemi vazhdon të jetë prioritet për Komunën e Prishtinës dhe se deri më tani është shpenzuar buxhet dhjetëfish më shumë se vitin e kaluar për qentë endacakë.

    Në mesin e masave të ndërmarra për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë përmendet marrëveshja me operatorë të jashtëm ekonomik për trajtimin e 700 qenve endacakë, e cila tanimë ka përfunduar.

    Komuna thotë se janë afër përfundimit të procesit të tenderimit të 7 lloteve (rreth 350 mijë euro) për trajtimin e qenve endacakë.

    Po ashtu janë ngritur pikat ushqyese nga 5 në 23 pika, të cilat janë vendosur kryesisht në pikat me koncentrim më të madh të qenve endacakë dhe në rrugët hyrëse në kryeqytet.

    Në luftën kundër qenve endacakë, komuna e Prishtinës ka themeluar Task-forcën e brendshme komunale për trajtimin e qenve endacakë, si dhe ka themeluar grupin punues me akterë nga jashtë, siç janë MAPL, MBPZHR, Policia e Kosovës, AUVK, organizata e veterinerëve, shoqëria civile etj.

    Komuna thekson se është në proces të tenderimit ndërtimi i qendrës për trajtimin e qenve dhe se janë në fazën e konsultimeve me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) në lidhje me fillimin, që pritet të ndodhë shpejt, e procesit të regjistrimit të qenve me pronarë.

    Kuvendi Komunal tanimë ka aprovuar fillimin e procedurave për një qendër tjetër gjithëpërfshirëse rajonale dhe të përhershme për trajtimin e qenve, si atyre endacakë, ashtu edhe atyre me pronarë – Strehimorja e Kafshëve.

    Deri më tani askush nuk ka mbledhë informata të sakta mbi numrin e qenve endacakë në Prishtinë e as në Kosovë. Shifra e mjeteve të ndara dhe te planifikuara deri më tani për këtë vit është 753 mijë euro, që është më e madhja ndonjëherë, apo dhjetëfish më e lartë se vitin e kaluar.

    Strategjia dhjetë-pikëshe e komunës përfshin identifikimin dhe regjistrimin e qenve me vathë dhe mikropçipa, subvencionimi i vazhdueshëm për kastrim, sterilizim e vaksinim të qenve me pronarë, kontrolli i rreptë i mbarështimit dhe i shitjes së qenve, kontrolli i vazhdueshëm i riprodhimit të qenve endacakë përmes metodës Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho, Qendrat për Trajtim të Përkohshëm (QTP) dhe Qendrat e Shpëtimit, prezantimi i ‘kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake’, kontrolli i qasjes në resurse – ushqimi i qenve, fushatë për vetëdijësimin e shoqërisë, parku i qenve me pronarë (për socializim dhe rekreacion) dhe inspektorë komunalë për veterinari.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark