
Dikur grupet e para të Rock-ut në Kosovë bënin muzikë me tematikë sociale, e nganjëherë edhe politike. Ndryshimi në industrinë e muzikës në botë e ka prekur që moti edhe këtë segment në vendin tonë. Tash dominon muzika komerciale, e kritikuar jo rrallë edhe për tekste banale. Insajderi sjell një historik të këtij ndryshimi bashkë edhe me intervista nga njerëz brenda vet industrisë.
Për më shumë se 30 vjet, shumë hulumtues kanë studiuar se si trendet në muzikë kanë ndryshuar, Këshilli Kombëtar i Kërkimit Spanjoll bëri një hulumtim rreth kësaj ku tregon se muzika po përkeqësohet çdo vit. Hulumtuesit morën rreth 500,000 regjistrime këngësh nga të gjitha zhanret nga periudha 1955 e deri në vitin 2010.
Në hulumtimin e bërë u gjetën prova të një homogjenizimi progresiv të diskursit muzikor, ku në këtë hulumtim thuhet se“diversiteti i tranzicioneve midis kombinimeve të notave – përafërsisht akorde plus melodi – është zvogëluar vazhdimisht në 50 vitet e fundit”.
Njëri nga treguesit konkret tregon se muzika në vitet e fundit është përkeqësuar kaq shumë është timbri, timbri pra është karakteri ose cilësia e një tingulli ose zëri muzikor i ndryshëm nga lartësia dhe intensiteti i tij, ku në muzikën që po bëhet në shoqëritë moderne timbri ka rënë në mënyrë drastike sipas hulumtimit që është bërë.
Këto të dhëna të lejojnë të përshkruash edhe gjendjen e muzikës në Kosovë e Shqipëri dhe jo vetëm.
Nëse muzika rock thuhet së është duke vdekur, kjo argumentohet edhe me faktin se çfarë muzike jo vetëm po bëhet por edhe cili zhanër i muzikës lëshohet nëpër klube të ndryshme, kafene etj. Koncerte të muzikës rock në Kosovë, ka por jo aq sa ka koncerte të muzikës Pop, R&B, e zhanre të këtij lloji.
Rocku për herë të parë në Kosovë ka filluar në fund të viteve 70’ e në fillim të viteve 80’ me grupe si“Gjurmët”, “Lindja”, “Minatori”, “Fisnikët”, e për të ardhur më vonë me grupet si “Jericho”, “CuteBabulja” etj.
Për vet këto ndryshime, Insajderi ka folur me dikë që është brenda industrisë së muzikës dhe e ka parë ndryshimin e saj nëpër vite. Në një intervistë për Insajderin, kantautori i njohur Petrit Çarkaxhiu i grupit “Jericho” tregoi rreth muzikës së tij. Flet për trendet, vlerat e madje edhe edukimin mbi artin.
Insajderi: A mund të më tregoni më shumë se pse zgjedhni të këndoni për problemet socio-politike në këngët tuaja?
Çarkaxhiu: Kryesisht mendoj se ka të bëjë me aktualitetin e rënduar social të cilin po e përjetonim në kohën kur u formuam si bend në vitet e 90ta mirëpo gjithashtu ka të bëjë edhe me edukimin tonë muzikore, dmth bendet të cilat i kemi dëgjuar dhe jemi ndikuar prej tyre qoftë në aspektin muzikore po gjithashtu edhe të përmbajtjes në tekstet e tyre. Vlen të theksohet se bendet me të cilat ne jemi rritur kanë qenë shumë të angazhuara me tema sociale e politike.
Insajderi: Si e shihni muzikën që po bëhet kohëve te fundit? Nëse mund ta quajmë muzikë pa vlera artistike?
Çarkaxhiu: Po trendi është i njëjte gjithkund në botë, ne jemi vend i vogël dhe ndikohemi prej skenave të mëdhaja në botë. Skena muzikore në përgjithësi ka ndërruar shumë, artistet janë më pak të dhënë pas aktualiteteve shoqërore e më tepër dominon një prirje kah një hedonizëm i theksuar.
Insajderi: Si mendoni se publiku mund të edukohet dhe të kultivoj një kapital kulturor në bazë të zhanrit dhe teksteve që dëgjojnë?
Çarkaxhiu: Po patjetër, muzika, poezia, piktura, filmi, arti në përgjithësi është edukatori më i rëndësishëm i brezave prandaj edhe nëse një brez i ekspozohet një fryme të tillë si kjo e periudhës së fundit patjetër që do të ketë pasojat e veta.
Insajderi: Kur ndiheni të frymëzuar për të bërë muzikë?
Çarkaxhiu: Pothuajse pjesën më të madhe të kohës … ndoshta më shumë në momente të caktuara pas ndonjë periudhe të ngarkuar emocionalisht.
Insajderi: Juve jo vetëm si artist por edhe si qytetar çfarë ju shqetëson më shumë në aspektin socio politik në Kosovë?
Çarkaxhiu: Emigrimi. është një fenomen në rritje dhe shumë brengosës. Sidoqoftë njerëzit kanë të drejtën e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë.
Insajderi: A jeni ndjerë ndonjëherë në një situatë të keqe gjatë përformimit?
Çarkaxhiu: Po patjetër. Sidomos kur kushtet teknike të zërimit nuk janë të duhura ndenja është shumë e sikletshme.
Kush mund të bëjë muzikë e kush art?
Ndikimi jugosllav ishte shumë i dukshëm në Kosovë ku të rinjtë ishin të etur për të bërë muzikë. Banda e parë shqiptarë e rokut ishte “Blue Set” e krijuar në Prishtinën e vitit 1964.
Prishtina mbetet gjithashtu qyteti më i rëndësishëm i rockut edhe në vitet e 80ta ndër më të preferuarit ka qenë grupi “Gjurmët”, të krijuar në vitin 1981 kombinimi i tyre në mes muzikës rock dhe asaj qytetare krijuan një lloj identiteti që fliste dhe këndohej shqip.
Grupet e tjera që u krijuan gjatë kësaj kohe ishin Ilirët, 403, Teleks, Seleksioni 039, Minatori etj. Duket se qendrat e rokut ishin qytetet e mëdha si Prishtina Shkupi Mitrovica por kjo muzikë dëgjohej edhe në qytete më të vogla si psh në Kaçanik ku kishte gjithashtu grupe të tjera.
Këto grupe kënduan për tema sociale politike që gjendej Kosova në atë kohë por jo vetëm, këto grupe argëtuan audiencën e tyre edhe me këngë e tekste të natyrës së dashurisë jetës etj.
Komerciale apo art të dyja gjenden në treg, por që rreth kësaj të bie ndërmend thënia së “Të gjithë mund të bëjnë muzikë, shumë pak mund të bëjnë art”.
Muzika kualitative nuk ka të bëjë me llojin e zhanrit apo të muzikës, por me elementet që e bëjnë një këngë apo muzikë të mirë, këto elemente e determinojnë muzikën kualitative dhe muzikën komerciale.
Homogjenizimi progresiv i diskursit muzikor nënkupton se në muzikën e ditëve të sotme ka më pak diversitet në instrument dhe teknikat e bërjes së muzikës, këtë diversitet të instrumentëve e gjejmë te kënga ”A Day In The Life” nga The Beatles, këngë e cila është bërë nga një orkestër me 40 muzicient.
Kurse këngëtari Robin Thicke këngën “Blurred Lines” e përdorë vetëm një instrument pra drum machine.
Shembuj të këtij lloji gjejmë edhe në skenën tonë të muzikës “Jericho” për shembull është një grup i cili në muzikën e tij përveç instrumenteve standarde të rokut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli dhe zurna.
Shembull të kundërt mund ta marrim këngëtarin Butrint Imeri apo këdo të ngjashëm si ky ku në muzikën e tyre jo që nuk përdoret asnjë instrument real konkret por e gjithë muzika bëhet përmes teknikave që ofron teknologjia sot.
Kujt po i këndojnë këngëtarët në Kosovë apo cila është tematika kyçe në tekstet e këngëve që po bëhen jo vetëm në Kosovë por edhe në botë?
Për të mos folur me zhanre në këtë pjesë po fokusohemi tek të gjitha këngët që po bëhen trend i tiktokut apo të shumë rrjeteve sociale dhe klikimet e shumta që po marrin.
Dashuria, tradhtia dhe tekset që kanë të bëjnë me llojin e vallëzimit “twerk” po gjejnë vend tek këngëtarët tonë, duke mos lënë anash tekstet që promovojnë seksizëm, influencë të keqe në natyrën e dhunës, çështjes së narkotikëve etj.
Më poshtë gjejmë disa nga këngët që po i listoj sipas klikimeve sepse këtu qëndron problemi kyç, ku këto klikime tregojnë se shoqëria jonë edhe po i pëlqen këto lloje tekstesh.
1Dafina Zeqiri ft Kida – Luje Belin/ “lujeluje belin, bonetane mos ta nin për njeri”, “shkunde e tunde”, “neve snanal Policia”, “e kallim klubin”.
2Kida–Drunk/ Baby, kur jom drunk edhe kyqjen dhez I wanna sing that song qe ty t’prek.
3DonXhoni– Kokaina/Zemrën ma ke marrë, zemrën, zemrën, zemrën ma ke marrë njejt si kokaina.
Këto janë vetëm tri pjesë të shkurta të tri këngëve që secila prej tyre ka më shumë se një milion klikime në kanalin “YouTube” dhe dëgjohen shumë nga publiku./Gazeta Insajderi