Shkolla shqipe e Rozhajës në rrezik për humbjen e autonomisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Shkolla shqipe e Rozhajës në rrezik për humbjen e autonomisë

    Insajderi
    24 August 2022 - 21:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ali Daci, është mësimdhënësi i cili përplot 34 vite ka ushtruar këtë profesion. Në një rrëfim për Insajderin, Daci tregon vështirësitë me të cilat po përballet institucioni i vetëm arsimor në gjuhën shqipe në Rozhajën e Malësisë, shkruan Insajderi

    Kjo shkollë ka 75 vite ekzistencë, kurse 55 që kur mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Por, nuk janë të pakta kërcënimet që shkojnë në adresën e këtij institucioni. Madje, ky vend pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhej, nuk mori kurrë përkrahje nga komuna e Rozhajës.

    “Jam këtu më ditar në dorë plot 34 vite, e që nga ajo kohë e deri sot zor që ka kaluar ndonjë vit që kjo shkollë nuk është sulmuar nga faktori njeri. Çdo vit thuajse janë thyer xhamat e demoluar dyert e saj. Çdo herë i kemi riparuar e rregulluar. Edhe qeverisja lokale sikur e ka halë në sy dhe kurrë nuk u përkrah për asgjë kjo shkollë nga ta”, tha Daci për Insajderin.

    Sipas mësimdhënësit Daci, synimi është që kjo shkollë të mbyllet dhe të humben gjurmët e gjuhës shqipe.

    Ai tha se shihen qartë synimet “e errëta” të strukturave shtetërore nga lokalja e deri tek supremja, pasi kjo shkollë është e padëshirueshme për ta.

    Daci i cili qysh nga viti 1990 hapi dyert për shumë Kosovarë në Rozhajë, tha se fati i shkollës e ruajtjes së kulturës shqiptarë varet nga vetë banorët atje.

    “Si dita më diell shihen qëllimet e errëta te strukturave shtetërore nga kjo lokalja gjere te supremja se vërtet kjo shkollë në mes te Malësisë se Rozhajës është e padëshirueshme për ta. A do të tjetërsohemi e asimilohemi kjo varet nga ne, se a do te ulim kokën e të na bien qafës apo di i dalim përballë kësaj stuhie e ti themi ndal, krejt varet nga ne dhe nga dy shtetet amë qe kemi. Të shpresojmë ka e mira për ne e për te gjithë. Rroftë gjuha shqipe dhe shqiptaret”, tha ai për Insajderin.

    Ky vit shkollor shkollën e pozicionuar në Dacaj të Rozhajës do e zë me vetëm 3 nxënës të regjistruar.

    Problemi tjetër me të cilin kjo shkollë po përballet është edhe mungesa e kuadrit arsimor.

    ” Në këtë vit shkollor kemi të regjistruar vetëm 3 nxënës në klasën e parë. Një problem tejet shqetësues për ekzistimin e shkollës shqipe në Dacaj është çështja e kuadrit arsimor. Fatkeqësisht sot nuk kemi mësimdhënës te diplomuar e as në student në profilet më të rëndësishme të arsimit”

    Sipas tij ka shumë pak të rinjë të interesuar për studim në gjuhë amtare andaj kjo po e detyron shkollën që të punësoj boshnjak atje.

    “Fatkeqësisht sot nuk kemi mësimdhënës te diplomuar e as në student në profilet më të rëndësishme te arsimit. Ky mos interesim i brezave te ri për të studiuar e për t’u përgatitur për arsimim në gjuhen amtare na ka vënë në një pozitë tepër të rend, pasi një numër i kuadrit arsimor ka dalë ne pension dhe si rrjedhojë e mungesës se arsimtarëve shqiptar këto vende po i zënë mësimdhënësit boshnjak dhe kështu po rrezikohet humbja e autonomisë se shkollës shqipe si vatër e vetme e arsimimit dhe edukimit në gjuhen shqipe”, shtoi tutje ai për Insajderin.

    Daci i cili është edhe publicist tha se për çështjen e kuadrove ka kontaktuar edhe me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe i njëjti i ka ofruar ndihmë.

    “Për këtë çështje kam kërkuar mbështetjen e Komunës së Pejës dhe departamentit të arsimit që zë na ndihmojnë më kuadra profesional shqiptarë, e që fatmirësisht kemi gjetur perkraje nga i pari i Komunës Z. Gazmend Muhagjeri dhe drejtori i drejtoratit të arsimit Z. Naser Gega”, tha ai për Insajderin.

    Deri tani janë paraqitur gjithsej 3 arsimtarë të gatshëm të jenë në shërbim të shkollës në Dacaj.

    “Kemi 3 arsimtar te paraqitur e të gatshëm të vijnë në shërbim ne shkolle ne Dacaj. Do te jete tejet e vështire qe ky personel arsimor te kyqet ne proces pasiqe shteti i Malit te Zi ka ligje strikte për kuadrot e huaja. Mbetet këto dite te shohim se si do te zhvillohet ky proces delikat”, tha më tej mësimdhënësi.

    Si pasojë e mungesës së kuadrit shqiptarë, sot, lëndët si kimia, fizika e arti ligjërohen në gjuhë malazeze.

    Që të mbajë shkollën gjallë në frymën shqipe, profesori i matematikës udhëton çdo ditë disa kilometra.

    “Tash 3 vite me radhe profesori i matematikes udhëton nga Vuthajt çdo ditë për të mbajt gjallë shkollën shqipe, çdo ditë 200 kilometra udhëtim, pa mbulim shpenzimi. Pra, po funksionojmë shumë vështirë”, tha ndër të tjera Daci për Insajderin.

    Kushtet e shkollës së vetme shqipe në Rozhajë

    Shkolla shqipe në Rozhajë po konsiderohet si një ndër vatrat arsimore me kushtet më të rënda në tërë territorin e Malit të Zi.

    “Sa u përket kushteve në shkollë, jam i bindur që në Mal te Zi edhe më gjetë nuk ka shkollë që ka kushte më të vështira pune se sa shkolla jonë. Nga 15 maji 2020 faktikisht jemi pa objekt shkollor”, tha mësimdhënësi.

    Në vitin 2020 kjo shkollë u kaplua nga flakët, me ç’rast nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kishin një infrastrukturë të denjë për vijimin e mësimit në atë objekt.

    “Shkollës qëllimisht iu vu zjarri dhe ajo u dogj. Nxënësit dhe mësimdhënësit mbeten jashtë. U desht të shfrytëzohet një objekt ndihmës qe në asnjë mënyrë nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e mesimit”, tha ai për Insajderin.

    Daci konfirmoi se Qeveria Malazeze, Ministria e Arsimit, pas inicimit të problemit për shkollën nga ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili kishte hartuar një projekt për rikonstruktimin e shkollës në vitin 2019.

    “Atë bot edhe u ndanë mjetet për rekonstruktim, mirëpo pas djegies, punëmarrësi nga Podgorica kërkoj mjete shtesë e që ministria përkatëse nuk i miratoj, u hapen grupe e fonde për mbledhjen e mjeteve në mërgatë por qe kurrë nuk u raportua se sa e ku u mblodhën ato. Pra, kemi një amulli rreth këtij problemi jetik për ne”, nënvizoi ai për Insajderin.

    Në anën tjetër në shkollë ka mungesë të literaturës pasi edhe ajo çka ishte u dogj nga zjarri.

    Në mungesë të kushteve të shkollës, prindërit, pas përfundimit të klasës së nëntë fëmijët i drejtojnë në shkollat në gjuhën malazeze.

    Kjo pasi sipas Dacit ata anë humbur shpresat për arsimim në Kosovë.

    “Kohëve te fundit, në mungesë të kushteve, prindërit pas përfundimit të klasës së 9 fëmijët e tyre fatkeqësisht po i drejtojnë në shkollat në gjuhen malazeze ne Rozhajë. Sikur kanë humbë shpresat për arsimim në Kosovë, e që kjo si traditë u shkëput këto vitet e fundit, fatkeqësisht. Dikur në gishta të një dore ke mundur ti numërosh ata qe shkollimin e kanë ndjekë në gjuhen jo amtare, pra te gjithë shkonin në Pejë e më larg për studiuar në gjuhen shqipe, sot po ndodhë e kundërta”, përfundoi Daci për Insajderin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark