×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Çdo jetë e pacientit varet nga rryma” – Si po i menaxhojnë reduktimet e energjisë spitalet e Kosovës?

    Insajderi
    01 September 2022 - 17:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Reduktimet e energjisë elektrike të cilat janë duke u aplikuar që nga dita e hënë, kanë prekur edhe spitalet e Kosovës. Disa, prej tyre u mbyllën për shkak të gjeneratorëve disa të tjerë po mbahen mirë në këtë kohe krize. Gazeta Insajderi zbulon situatën nga QKUK-ja deri tek spitalet rajonale.

    Qytetarët e Krushës të Madhe gjatë mbrëmjes së djeshme nuk kanë mundur të marrin trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare, për shkak të reduktimeve të rrymës dhe prishjes së gjeneratorit.

    Reduktimet kanë arritur në 3 me rrymë e 3 pa të, duke pasur kështu spitalet “ilaç” të vetëm gjeneratorin.

    Por, si po i menaxhojnë reduktimet e energjisë elektrike Spitalet Rajonale nëpër komuna e Kosovës?

    Spitali i Ferizajt në këtë kohë krize aktualisht po mbahet me dy gjeneratorë të stërvjetruar. Nga ky spital i kanë thënë Gazetës Insajderi se asnjëri nga këta dy gjeneratorë nuk mund t’i furnizojë dy objekte përnjëherë.

    Pasi, sipas tyre njëri nga gjeneratorët është pronë e QKMF-së së Ferizajt, por që në të prej vitesh është i kyçyr edhe objekti kryesor i Spitalit.

    SP Ferizaj aktualisht furnizohet nga dy gjeneratorë të rrymës, të cilët janë të stërvjetruar dhe shumë të amortizuar ( sipas serviserëve). Njeri nga ta është pronë e QKMF- së në Ferizaj, mirëpo që prej vitesh janë të kyçur në të edhe objekti i QKMF së dhe objekti kryesor i Spitalit, që realisht asnjëherë nuk mund t’i furnizon dy objektet përnjëherë”, thuhet në përgjigjet e Spitalit të Ferizajt dhënë Insajderit.

    Ndonëse, në fillim të këtij viti Spitali i Ferizajt kishte planifikuar bashkë me SHSKUK të blejë edhe dy gjeneratorë të tjerë për t’i mbuluar nevojat.

    Por, një gjë e tillë ka mbetur ende në procedurat fillestare.

    Fatmirësisht që në fillim të këtij viti kemi bërë planifikim për blerjen e dy gjeneratorëve që do të mbulonin nevojat e gjithë objektit të Spitalit dhe së bashku me SHSKUK  jemi në fillim të këtyre  procedurave. Shpresoj që së shpejti do të fillojnë dhe punët konkrete”, thuhet në përgjigjet e SP të Ferizajt për Insajderin.

    Diçka më mirë se spitali i Ferizajt punët me gjeneratorë duket se i ka spitali i Gjakovës, ani pse në funksion ka vetëm dy gjeneratorë.

    Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, nga ky spital thanë se dy agregatët janë në gjendje të mirë, ku njëri mbulon repartin e Hemodializës ndërsa tjetri objektin kryesor të spitalit.

    “Nga Spitali i Gjakovës ju njoftojmë se disponojmë me dy gjeneratorë funksional, ku njëri është i destinuar për Hemodializë, ndërsa tjetri për objektin kryesorë të Spitalit, ku janë të përqendruar repartet. Të dy janë në gjendje të mirë”, thuhet në përgjigjet e SP të Gjakovës dhënë Insajderit. 

    Reduktimet e rrymës po i menaxhon lehtë spitalit i Gjilanit, i cili në funksional ka pesë gjeneratorë për mbulimin e nevojave gjatë kësaj krize.

    Drejtori i spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, i tha Gazetës Insajderi se spitali ka lidhje të veçanta dhe rrallë ndodh që të ndalet rryma, por në rast se ka janë gjeneratorët.

    “Ne i kemi 5 gjeneratorë në spital, të gjithë janë në rregull dhe nuk kemi probleme. Spitali ka lidhje të veçanta dhe rrallë ndodhë që të ndalet rryma por për çdo rast i kemi gjeneratorët. Prej vitit 2002 spitali i Gjilanit ka lidhje të veçanta si për ujë ashtu edhe për rrymë”, tha Emini për Insajderin.

    Njësoj sikurse spitali i Gjilanit krizën e reduktimeve të energjisë po e tejkalon edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

    Në këtë spital funksionojnë pesë gjeneratorë, që të gjithë në gjendje të mirë, kështu thuhet në përgjigjet e këtij spitali dhënë Insajderit.

    “Spitali i Përgjithshëm Pejë ka pesë (5) gjenerator të  rrymës të cilët janë të ndarë në kategori. Dy furnizojnë me rrymë bllokun Kirurgjik, një furnizon me rrymë bllokun Internistik, një furnizon me rrymë Spitalin e Krahërorit dhe një furnizon me rrymë Ambulancat Specialistike. Të gjithë gjeneratorët janë në gjendje funksionale dhe Spitali ka kontratë për mirëmbajtjen e gjeneratorëve”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë Insajderit.

    Si po e menaxhon QKUK-ja reduktimet e rrymës?

    Qendra Klinikë Universitare e Kosovës është institucioni kryesor ku të gjithë spitalet rajonale drejtojnë shpesh pacientët e tyre për trajtim të mëtutjeshëm mjekësorë.

    Në këtë kohë krize të reduktimeve të rrymës është e rëndësishëm që ky institucion të ketë furnizimi me rrymë pa pandërprerë pasi jeta e pacientëve varet nga aparaturat.

    Nga QKUK-ja thonë se menaxhimi i reduktimeve po kalohet mirë por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë defekti. QKUK-ja ka në funksion 20 gjeneratorë për mbulimin e tërë objektit kryesor të saj.

    Shefi i sektorit Teknik të QKUK-së, Medi Krasniqi në një prononcim për Gazetën Insajderi, tha se gjeneratorët testohen dy herë në ditë dhe se gjendja e tyre është në rregull.

    Sipas Krasniqit, reduktime nuk ka në QKUK pasi jetën e pacientëve nuk guxojmë ta lejojmë në mëshirën e reduktimeve.

    “Çdo gjë është funksionale pa asnjë pengesë për momentin. Aktualisht 20 gjeneratorët janë funksional edhe në çdo kohë startojnë. Çdo fillim të orarit dhe përfundim i testojmë, vazhdimisht testohen ka dy herë në ditë dhe për momentin janë të gjithë në rregull. Reduktime nuk ka QKUK, nuk përjashtohet mundësi që ndonjëherë nuk starton, pasi janë probleme teknike. Por, ne nuk guxojmë ta lejojmë jetën e njerëzve në mëshirën se a funksionon gjeneratori apo jo”, tha Krasniqi për Insajderin.

    Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar dimër të vështirë, për shkak të krizës energjetike që ka përfshirë Evropën.

    Edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, andaj konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave.

    Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark