Studentët e ardhur nga Lugina e Preshevës që zgjodhën Kosovën për të vazhduar rrugën akademike po hasin në përplot padrejtësi e diskriminim, shkruan Gazeta Insajderi.
Egzona Hajrullahu, e cila është studente në fakultetin filozofik në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin shkenca politike thotë se nëse mbështetja institucionale e Kosovës do të vlerësohej nga një deri në dhjetë, e njëjta do e nënvizonte numrin dy.
“Sa i përket mbështetjes institucionale mendoj se nga 1 në 10, do ta vlerësoja 2. Përveç përfshirjes në lirim pagese nga semestri, studentët nga lugina nuk kanë përfituar asgjë nga asnjë qeveri deri më tani”, tha Hajrullahu për Insajderin.

Hajrullahu tha se janë disa kërkesa të cilat studentët nga Presheva i kanë prioritet dhe presin rezultate, ndonëse deri tani nuk ka asnjë sukses në realizimin e tyre.
Fillimisht, çka e shqetëson studenten e UP-së nga Lugina është pamundësia e ushtrimit të praktikave në institucione publike.
“Shqetësuese dhe dëshpëruese për ne është përjashtimi i mundësive të praktikës, në insitucione të Kosovës sepse konsiderohemi të huaj dhe kjo pamundëson aplikimin pavarësisht përgatitjes profesionale që mund të kemi”, tha më tutje studentja.
Më pas, paisja me lejeqëndrim është pjesë e shqetësimeve më të mëdha që këta studentë kanë, Hajrullahu tha se pavarësisht premtimeve për lehtësimin e kushteve, kjo nuk po praktikohet.
“Paisja me lejeqëndrim të Kosovës, procedurë e cila është shumë e mundimshme dhe kërkon kohë. Edhe pse kanë premtuar në lehtësim, kjo në praktikë nuk qëndron ende”, tha ajo.
Këtë e pohon edhe Fatlind Azizi i cili ndjek studimet master në UP dhe përfaqëson studentët përmes organizatës “Paqja Studentore”.

Azizi thotë se duke qenë se studentët e Luginë janë pakica më e diskriminuar në rajon, po përballen edhe me vështirësitë pasi iu mungon nënshtetësia.
Studenteve te Luginës u mungon nënshtetësia, edhe pasi ne studiojmë 3-6 vjet, nuk ka asnjë lehtësim për nënshtetësi. Kërkesat tona janë legjitime, duke e ditur se jemi pakica më e diskriminuar ne rajon. Për ne duhet te ketë më shume lehtësime dhe mbështetje”, u shpreh Azizi për Insajderin.
Ndërkaq, procesi i fundit nga i cili janë diskriminuar studentët e Luginës është vendimi për shtesat prej 100 eurove nga Qeveria në krye me Albin Kurtin.
“Procesi i fundit qe jemi diskriminuar është ndihmesa prej 100 euro prej Qeverisë së Republikës së Kosovës. Edhe pse janë zotu qe do te na përkrahin publikisht, mbi 90% e studenteve luginas nuk kane marrur ndihmesën 100€”, pohoi Azizi.
Këtë mendim e ndan edhe Hajrullahu e cila tha se studentët nga Lugina, pra 90% nga ata nuk kanë qenë përfitues të atyre shtesave.
“Ne kemi deklaruar edhe më parë, në rastin e mbështetjes financiare në vlerë prej 100€, qeveria ka thënë se do të përfshihen edhe studentët nga Lugina, gjë e cila tek 90% prej tyre nuk ka ndodhur sepse janë refuzuar me arsyetimin që nuk janë studentë të rregullt, arsyetim ky i pavërtetë dhe i pa bazuar në fakte.”, tha për fund Hajrullahu.