Avokati Xhevdet Rama është arrestuar për shkak të dyshimit se ka mashtruar kompaninë që provon parfumin “1 million”.
Në cilësinë e avokatit të prodhuesit, ai ka deklaruar rrejshëm se kinse janë asgjësuar 3.000 parfume fals.
Mirëpo, parfumi nuk është shkatërruar. Avokati së bashku me një oficerë doganor dhe një person tjetër kanë shkruar në procesverbal se malli është asgjësuar, duke provuar që mallin e konfiskuar ta hedhin në treg.
Përgjegjësit për shkatërrim të mallit, kanë shkatërruar vetëm 10 parfum.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavilevci, ka sqaruar se vendimi ka qenë malli i konfiskuar të shkatërrohet.
Dogana ka njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorinë kanë bërë arrestimin e tre personave gjatë një aksioni të zhvilluar mbrëmë. Dogana, ka suspenduar një oficer doganor, pasi që i njëjti është arrestuar me urdhër të prokurorit.
“Gjithashtu edhe një avokat i cili ka qenë i përfshirë është arrestuar”, thuhet në njoftim të Doganës.
Rasti ka ndodhur për shkak se të dyshuarit në bashkëveprim nuk kanë bërë shkatërrimin e mallrave të falsifikuara por të njëjta kanë tentuar t’i hedhin në treg.
Dogana e Kosovës kohë më parë kishte konfiskuar një sasi të mallrave (kozmetik) të falsifikuara, pas përfundimit të procedurave kjo sasi e mallrave do të duhet të asgjësohej.
“Ka pasur dyshime fillestare nga ana e njësiteve te specializuara te Doganës se mallrat mund të mos asgjësohen siç parashihet me ligj për shkak të tentimeve eventuale për keqpërdorim nga ana e personave të lartë shënuar, andaj Dogana ka filluar hetimin dhe përcjelljen e punës së zyrtarëve të ngarkuar në këtë proces, si rezultat i punës hetimore nga ana e doganës nën mbikëqyrjen e prokurorit një oficer doganor dhe dy persona tjerë janë zëne në flagrance duke tentuat që sasinë e mallrave të falsifikuara që ishin destinuar për asgjësim t’i fusin në treg për shitje”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Avokati Xhevdet Rama ka përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtën e kompanisë ‘1 million’ në tregun kosovar. /Insajderi.com