
Kryeministri Isa Mustafa ka zgjedhur ditën e diel që nëpërmjet një statusi në Facebook t’i jap qytetarëve të vendit një përmbledhje të lajmeve të mira që, sipas tij, kanë ndodhur së fundmi në Kosovë.
Ka numëruar disa nga sukseset që sipas kryeministrit, vendi i tij ka shënuar prej që ka ardhur në pushtet.
E ka nisur me aplikimin e marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, duke shtuar se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.
Më pas është ndalur te çmimi i energjisë elektrike që sipas Mustafës është ulur.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë vendosi të zbres çmimin e energjisë elektrike për sektorin e ekonomisë, përfshirë edhe Trepçën dhe Feronikelin, ndërkaq nuk u shtrenjtua energjia për qytetarë”, ka shkruar Mustafa.
Lista e lajmeve të mira, kryeministri ka vazhduar me ekonominë, duke treguar sesi bizneset “po shprehen pozitivisht për masat e politikave ekonomike dhe fiskale” që qeveria e tij ka krijuar.
“Njerëzit tanë po punojnë, në bujqësi, në prodhim, në tregti, në shërbime; po rritet edhe efiçenca e shërbimit civil”, ka shkruar Mustafa.
Kryeministri ka shkruar edhe për buxhetin që, sipas tij, është stabil dhe për pensione.
Por është ndalur edhe tek investimet që sipas tij janë duke u bërë në Kosovë.
“Fluksi i investimeve të jashtme të drejtpërdrejta ishte më i madh krahasuar me shumë vite më parë. Qytetarët ndjehen të sigurt në shtetin e tyre”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se kjo do të sjellë zhvillim në arsim, shëndetësi, infrastrukturë rrugore, shkollore, sportive e kulturore.
E krejt në fund ka dhënë dy mesazhe për popullin.
“Është mirë që këto ecuri ti shohim, ta vlerësojmë veten dhe vendin tonë. Të ndihmojmë të gjithë për një ambient tërheqës për investime dhe zhvillim ekonomik. Duhet ta respektojmë veten që të na respektojnë të tjerët. Qytetarët dhe vendi ynë meriton më shumë respekt”, ka përfunduar Mustafa.