Publikimi i hulumtimit të Insajderit se Ministria e Infrastrukturës, në të njejtën kohë kur është licencuar “City Park”, ka pajisur me licencë për terminal të mallrave edhe kompaninë e drejtuar nga Arben Mustafa, djali i kryeministrit Mustafa, ka bërë që partia më e madhe opozitare të kërkojë edhe njëherë dorëheqjen e kryeministrit.
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje ia kanë kërkuar dorëheqjen Isa Mustafës pasi edhe vet publikuan faktin se djali i Kryeministri po merret me tregti me serbët si dhe nga Qeveria i është dhënë leja për një terminal doganor.
Përmes një shkrimi në rrjetin social, Facebook, zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se LDK-ja në reagimin dëshpërues të saj, nuk e ka mohuar lidhjen biznesore të Isa Mustafës me Mishkoviqin.
“Por sot Isës i doli sheshit edhe skandali tjetër i licencimit për terminal të kompanisë së djalit të tij. Për këtë aferë korruptive Isa Mustafa duhet të jap dorëheqje të menjëhershme dhe të ndiqet penalisht”, shkruan më tej Krasniqi.
Ky reagim i Krasniqit vjen pasi LDK doli me një komunikatë ku i lidhi Albin Kurtin e Glauk Konjufcën me Shtetin serb./Insajderi.com