Serbia ka arritur me sukses që prej 29 deri 31 janar të depërtojë drejt Kroacisë 6 mijë e 294 emigrant teksa ka pranuar vetëm 3 mijë e 810, sipas raportit të UNHCRS-së në Serbi.
Ky dallim i theksuar mes numrit të emigrantëve që kanë hyrë dhe dalë nga Serbia, është krijuar vetëm pas 31 Janarit pasi shoferët e autobusëve dhe të taksive kanë protestuar duke bllokuar lëvizjen e trenave plot refugjatë që udhëtojnë nga Maqedonia drejt Serbisë.
Një protestë e tillë është mbajtur edhe të mërkurën në Preshevë ku sipas “Balkan Newsbeat” në Twitter shoferët kanë protestuar kundër vendimit të Qeverisë së Serbisë për të limituar transportimin e refugjatëve në Stacionin e autobusëve Lasta Bus në Beograd.
Një protestë e tillë ka ndodhur edhe në Maqedoni ku taksistët kanë bllokuar kufirin me Greqinë për disa orë të tëra, duke bllokuar kësisoj hyrjen dhe daljen e refugjatëve nga Lindja e Mesme.
Krejt kjo ka shkaktuar krizë të re të refugjatëve në Ballkan që është potencuar edhe në raportin e UNHCRS-së (Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët) të ditëve të fundit të muajit Janar.
“Numri i refugjatëve që kanë hyrë në Serbi ka rënë dukshëm me 31 Janar për shkak se shoferët e taksive kanë protestuar duke bllokuar qarkullimin e linjave e trenave në Maqedoni. Të shtunën në Preshevë, janë mbledhur taksistët që kanë protestuar në formë paqësore kundër marrëveshjeve të reja për dalje nga Qendrat e Pranimit, pasi kjo marrëveshje e kufizon hyrjen e taksive për azilkërkuesit”, thuhet në raportin e UNHCRS-së për 21-31 Janar 2016.
Shoferët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave ndërsa mediat në Serbi nuk e kanë raportuar edhe aq shumë në lidhje me këtë vendim.