Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në komunën e Klinës duket se nuk po bashkëpunon me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin i cili është përgjegjës për komunën e Klinës, Istogut, Pejës dhe Gjakovës, shkruan Insajderi.
Pas shkarkimit të kryesisë në krye me Besim Hotin si kryetar, ky i fundit ka shprehur pakënaqësitë e tij me Muhaxherin.
Hoti thotë se kryetari i Pejës, po mban kuvende të fshehta.
Ai në profilin e tij në facebook ka shkruar se ” Gazmend Muhaxheri vazhdon ta përçaj degën e LDK-së në Klinë! Kuvendet e fshehta nuk janë zgjidhje as zgjedhje”

Gazeta Insajderi ka provuar disa herë ta kontaktojë Hotin për deklaratën e tij rreth kuvendeve të fshehta por i njëjti nuk është përgjigjur.
I kontaktuar për këtë rast ka qenë gjithashtu edhe ish-nënkryetari, Arben Limani. Limani tha se nuk është në dijeni të Kuvendeve të fshehta.
“Unë nuk e edi që ka Kuvende të fshehta, se diu pse e ka etiketuar kryetarin”, tha shkurt Limani.
Për një koment rreth këtyre pretendimeve, Insajderi ka kontaktuar edhe Muhaxherin, por as ai nuk ka dhënë një përgjigje.
Një postim i Hotit pak ditë më parë, gjithashtu ngre dyshime për prishje të raporteve mes antarëve të LDK-së në Klinë.
Bashkëngjitur me një foto të tij, Hoti shkroi se gjindej përballë “komplotit të dytë”.
