Thelbësore është marrëveshja mbi aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi si dhe progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, shkruan Insajderi.
Takimin e djeshëm të Niveli të Lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku të dy pranuan marrëveshjen evropiane, Price e quajti “hap të mirë” por ende “me shumë punë të vështira” për t’u kryer, përcjell Insajderi.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë”.
“Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, ka thënë zëdhënësi.
Pas takimit të së hënës në Bruksel ku u pranua propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Përfaqësuesi Special i Dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, me të cilin, siç njoftoi, u pajtuan “rreth rëndësisë së pajtimit në modalitetet e zbatimit të marrëveshjes” si dhe “nevojën për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog” me këtë duke nënkuptuar edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Insajderi.
“Pas takimit të djeshëm të nivelit të lartë, Zëvendës Asistenti Escobar dhe unë u ulëm për të koordinuar hapat e ardhshëm në prag të takimit të ardhshëm. U pajtuan për rëndësinë e marrëveshjes për modalitetet e zbatimit dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese të Dialogut”, njoftoi Lajçak në Twitter./Insajderi/