
Hashim Thaçi, president i ri i Kosovës, është betuar të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Thaçi është president i pestë i vendit, ndërsa do të zë vendin e ish-presidentes Atifete Jahjaga.
Në Kuvend nuk moren pjesë partitë opozitare.
Në një fjalim rasti, presidenti Thaçi është zotuar se do të jetë garant i respektimit të ligjit dhe i unitetit të popullit.
“Në angazhimet e mija do të respektojë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Si kreu i shtetit do të ruaj dhe kultivojë unitetin e popullit”, ka thënë ai.
“Si president, do të jem garant i respektimi të ligjit. Do të punojë të ti afirmojë vlerat sublime të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, për kultivimin e të drejtave të njeriut, për reformat e reja luftimin e korrupsionin e krimit të organizuar”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar edhe ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, për kontributin e saj në pesë vitet e fundit si e para e shtetit.
Ish-kryeministri i Kosovës në dy mandate pritet që nesër në një ceremoni të marrë detyrën nga ish-presidentja Jahjaga.
Ceremonia e inaugurimit do të mbahet në sheshin Skënderbeu në Prishtinë./Insajderi.com