Orët e para të së premtes kanë shënuar edhe fundin e përgatitjeve të hapësirës në Sheshin Skënderbeu aty ku gjatë paradites, Hashim Thaçi do të inaugurohet si president i Kosovës.
Ky inaugurim sipas të dhënave të autoriteteve do të bëhet nën praninë e 1 mijë 400 mysafirëve të cilët do të marrin pjesë në këtë ceremoni.
Por për këtë ceremoni, kryeqyteti i Kosovës do të bllokohet gati krejtësisht në rrugët dhe sheshet kryesore.
Policia e Kosovës ka njoftuar se me rastin e ceremonisë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër dhe jashtë saj.
Në këtë mënyrë, policia ka vendosur ta bllokojë rrugën “Agim Ramadani” tërësisht duke filluar nga ora 09:00 (prej udhëkryqit tek xhamia që të shpie në drejtim të Gërmisë deri te udhëkryqi i Ministrisë së Arsimit), deri në përfundim të ceremonisë.
Policia do të bëjë edhe bllokimin e rrugicave që lidhen me rrugën “Agim Ramadani”, në drejtim të sheshit dhe bllokimi i rrugicave që lidhen me rrugën “Luan Haradinaj”, në drejtim të sheshit.
Gjithashtu do të bëhet ri-drejtimi dhe bllokimi i kohëpaskohshëm i rrugës që shpije në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, në intervale të shkurta kohore përderisa të kalojnë eskortat me delegacione të larta.
Operacioni në fjalë do të fillojë të implementohet që në orët e hershme të datës 08.04.2016, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, dhe lëvizjen e qytetarëve kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që mundësisht të shmangin lëvizjet e tyre me vetura në këto akse rrugore./Insajderi.com