
Ish-deputeti i PDK-së, Ramiz Lladrovci, është emëruar ambasador në Tiranë, ku deri më tani ishte i ngarkuar me punë. Ish-deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija, është emëruar konsulle e përgjithshme në Neë York, ndërsa ish-deputetja e LDK-së, Nazane Breca, është emëruar ambasadore në Zvicër. Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë nga AKR-ja, Bernard Nikaj, është dekretuar për ambasador në Belgjikë. Ndërkohë ish-anëtari i FER-it, Qëndrim Gashi, është emëruar ambasador në Francë.
Petrit Selimi, Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, i pyetur për këto emërime ka vlerësuar se janë bërë konform ligjit për shërbimin e jashtëm.
Sipas tij, 50 për qind e ambasadorëve të Kosovës nëpër botë janë të karrierës, ndërsa 50 për qind janë politikë.
“Emërimet janë në kuadër të ligjit, pra nuk është kaluar 50%-shi i ambasadorëve politikë”, është përgjigjur Selimi.
Ndërkaq subjektet opozitare dhe njohësit e kësaj fushe kanë thënë për Gazetën Zëri se partnerët e koalicionit qeverisës po e shfrytëzojnë shërbimin e jashtëm për të akomoduar personat e afërt me këto parti. Sipas tyre, dërgimi i njerëzve partiakë nëpër misione diplomatike po e dëmton diplomacinë kosovare.