
Protesta e tri partive opozitare që u anulua më 26 mars pritet që të mbahet më 14 maj, porse kësaj radhe duket se data e protestës është caktuar vetëm nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kjo parti ka njoftuar se ka caktuar këtë datë pas konsultimeve me forumet partiake, dhe ka thënë se do të konsultohet edhe me partitë e tjera opozitare në mënyrë që protesta të bëhet sa më masive.
“Një vendim i tillë është marrë pas diskutimeve me të gjitha forumet e AAK-së dhe një përcaktimi të palëkundur, që të vazhdohet me kundërshtimin e kapjes së Shtetit. AAK do të konsultohet edhe me partitë tjera opozitare dhe me shoqërinë civile e me grupet e interesuara, në mënyrë që protesta të jetë sa më e fuqishme”, njofton AAK-ja.
Sipas tyre, protesta e 14 majit,” do të jetë e qetë dhe paqësore”.
Protesta më 26 mars ishte anuluar vetëm një ditë para se të mbahej. Kjo kishte ndodhur për shkak të disa mosmarrëveshjeve që kanë partitë opozitare, më konkretisht AAK dhe Lëvizja Vetëvendosje./Insajderi.com