
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është një nga politikanët me më së shumti ndjekës në Kosovë, duke u bërë një nga personalitetet me më së shumti ndikim në rrjete sociale.
Postimet e tij në Facebook, Instagram dhe Twitter i shohin qindra mijëra kosovarëve të cilët përdorin këto rrjete, por vet presidenti sheh shumë pak se çfarë postojnë të tjerët.
Presidenti i cili deri para fushatës së fundit zgjedhore nuk ka qenë përdorues i rrjeteve sociale e as i teknologjisë më të re të telefonave celular, ka pak interesim për të lexuar se çfarë shkruajnë të tjerët në rrjete sociale duke qenë i fokusuar vetëm në atë se çfarë ka për të thënë ai.
Kësisoj Thaçi në Facebook ndjek vetëm 9 faqe të ndryshme, teksa ka mbi 300 mijë ndjekës. Ai ndjek se çfarë poston Galeria e Arteve, Partinë Evropiane Popullore, paraardhësen e tij Atifete Jahjagën, Ambasadën Amerikane në Kosovë, Forcat e Armatosura të Kosovës, ministrin e Integrimeve Evropiane Bekim Çollakun dhe Madeline Albright.
Shumë nga këto personalitete botërore bëjnë “follow” shumë personaliteteve të rëndësishme madje edhe opozitare për të qenë në rrjedha se çfarë postojnë ata. Por Thaçi mbetet i interesuar vetëm për tema globale, teksa rrjetet sociale i shfrtyëzon për tema lokale.
Në Instagram, presidenti ka mbi 16 mijë ndjekës por ai vet ndjek vetëm 16 profile, shumica e të cilave janë media ndërkombëtare dhe këshilltarë e njerëz të tij të afërm, sikurse djali i tij Endrit Thaçi.
Në Instagram Thaçi ndjek Angela Merkel dhe Barack Obamën bashkë me Memli Krasniqin, Blerand Stavilecin dhe Abelard Tahirin bashkë me gruan e Petrit Selimit, Arlinda Morinën.
Kjo lë të nënkuptohet se profili i tij në Instagram mirëmbahet nga Petrit Selimi, një prej ideatorëve të përfshirjes së Thaçit në rrjete sociale që tash mbanë postin e ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme.
Por Thaçi duket se më shumë ka bërë “follow” në Twitter. Plot 292 profile ndjek në këtë rrjet social teksa ka mbi 18 mijë ndjekës. Shumica e atyre që presidenti ndjek në Twitter janë media ndërkombëtare dhe politikan ndërkombëtar të rangut të lartë si kryeministra e president.
Presidenti gjithashtu nuk është aspak interaktiv me ndjekësit e tij. Asnjëherë nuk u përgjigjet atyre që shkruajnë ose kanë ndonjë pyetje për të. Këtë e kishte bërë gjatë fushatës kur kishte krijuar një aplikacion “Pyet Thaçin” por që u ishte përgjigjur vetëm pak prej shumë të interesuarve.