
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ftoj dhe akomodoj mysafirët e tij nga e gjithë bota në ditën e betimit të tij si president, me parat e qytetarëve të Kosovës. Kështu tha sot lideri i Nisma-s, Fatmir Limaj, në dy vjetorin e partisë së tij në Lipjan.
I pari i Nisma-s, përpos tjerash tha se e gjithë ceremonia e bërë dje nga Presidenti i Kosovës, u bë “vetëm për t’i ushqyer instinktet e tij prej diktatori”.
“Thaçi të gjithë të ftuarve që dje i pati në ceremoni të betimi u pagoi rrugën e dhomën e hotelit me taksat e qytetarëve të Kosovës e këtë ai e bëri vetëm për t’i ushqyer instinktet prej diktatori”, deklaroi Limaj, njofton Klan Kosova.
Ai ka vënë në theks gjendjen jo të mirë të shtetit të Kosovës, duke thënë se Kosova “nuk është siç e paraqet RTK-ja”.
Limaj formoi partinë e Nismas për Kosovën para dy vitesh, derisa para angazhimit në këtë parti ai ishte anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës për më shumë se 10 vite. /Insajderi.com