
Bazuar në vendimin e nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, vendimi bëhet i plotfuqishëm tek muajin tjetër, më 4 maj.
Kjo pasi që në vendim është shënuar 4 maji si datë e marrjes së vendimit, në vend të datës 4 prill 2016.
Gjithsesi, ky duhet të jetë një gafë i MPJ-së marrë parasysh faktin se ky vendim është marrë disa ditë pas lirimit nga Haga të Sheshelit, dhe pas paralajmërimit të tij se do të vizitojë Kosovën. Ose kanë preferuar modelin amerikanë të llogaritjës së datave, ku fillimisht shënohet muaji, më pas data dhe në fund viti.
Por, në këtë dokument, është lëshuar edhe një gabim tjetër. Nënshkrues i vendimit thuhet se është Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi. Në fakt, Selimi është duke e mbajtur detyrën e ushtruesit të detyrës pas largimit të Hashim Thaçit nga kjo pozitë.
Shesheli ka insistuar se do të vizitojë Kosovën, por deri më tani ai nuk është raportuar se ka mbërritur.
Paraditen e së martës, mediumi serb Pravda, njoftoi se zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për Mitrovicën Veriore, Besim Hoti, kërkuar nga komandantët dhe shefat e operativës në veri që të zbatojnë në mënyrë strikte urdhrin e MPB-së për t’ia ndaluar hyrjen Sheshelit në Kosovë.
Duke iu referuar një vendimi të MPB-së, Hoti shkruan se kërkesa e MPB-së “i drejtohet të gjithë pjesëtarëve të stacioneve policore në veri të Mitrovicës” me kërkesë që “në mënyrë strikte të zbatojnë urdhrin për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë, Vojisllav Sheshelit”./Insajderi.com