
Ndaj Lulzim Sylës, nëpunës civil në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), është dërguar kërkesë për fillim të procedurave disiplinore prej anës së zëvendës-sekretarit të këtij dikasteri në komision disiplinor nën pretendimin se ka ofenduar stafin politik. Insajderi merr vesh nga burimet e saja se fyrje dhe ofendime kishin bërë edhe stafi politik ndaj Sylës, teksa i njëjti ka thënë se “një gjë e tillë s’është korrekte”.
Insajderi ka siguruar një dokument të parashtrimit të kërkesës nga ana e Daut Latifajt, zv.sekretarit të MINT-it, për inicimin e procedurave disiplinore ndaj Sylës në komision disiplinor.
Në dokument tutje thuhet se Kushtrim Dakaj, shefi i stafit të kabinetit të ministres Rozeta Hajdari, ka paraqitur ankesa për shkelje të dyshuara “të shkaktuara nga Lulzim Syla”. Tutje, thuhet se “nëpunësit civil janë të obliguar të respektojnë stafin politik”.
“Inicimi i procedures disiplinore ndaj nëpunësit civil Lulzim Syla bazohet në ankesën deklaratën e z.Kushtrim Dakaj-Këshilltari Larte/Shef i Stafit në Kabinetin e Ministres së MINT paraqitur me datë 30.11.2023, me të cilin deklaron për shkeljet e dyshuara të shkaktuar nga Lulzim Syla (gjatë takimit të zhvilluar në Kabinetin e Ministres)”, thuhet në dokumentin në fjalë.
“Sjelljet e cekura në deklaratën e z.Dakaj cilësohen si shkelje disiplinore të rënda, për shkak se: Nëpunësit civil janë të obliguar që të respektojnë dhe të sillen në mënyrë korrekte dhe të përgjegjëshme ndaj stafit politik”, vijon kërkesa.
Gazeta Insajderi merr vesh se në takimin në fjalë të kabinetit të ministres Hajdari, janë shkëmbyer ofendime dhe sharje mes stafit politik dhe Sylës. Më pas, Syla iu është drejtuar duke thënë se “kjo s’është korrekte”. Pas krejt kësaj, është iniciuar kërkesa për procedim të procedurës disiplinore.
Lulzim Syla është vëllai i Blerim Sylës, ish-kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Një ditë përpara fillimit të grevave përpara dy vitesh, Blerim Syla pati thënë se Qeveria Kurti ia kishin shkarkuar vëllain nga pozita e Kryeinspektorit të Tregut të MINT-it.
Qeveria kishte marrë vendim që mos ia vazhdojë edhe një mandat Lulzim Sylës si Kryeinspektor i Tregut, ani pse gjatëtë njëjtit vit iu kishte zgjatur mandati për katër vite.
Blerim Syla kishte thënë se shkarkimi i tij nuk kishte të bëjë me veprimet sindikale të tij, por se nuk ka qenë morale nga Qeveria, meqë vëllai i tij ka mundur të shkarkohet më herët.
“Vëllai im është shkarkuar. Vëllai im ka qenë kryeinspektor, ai e ka pas mandatin e vazhduar në shkurt, para se me ardh qeveria. 7 muaj e ka ushtruar këtë detyrë, pak ka tingëllu si shantazhuese dhe kërcënuese sepse kanë pritur 7 muaj, që një ditë para grevës ta shkarkojnë. Mbrëmë në mbledhjen e qeverisë është shkarkuar”, pati thënë ai.
Blerim Syla kishte treguar se vëllai i tij, Lulzim Syla, ka qenë ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Tutje, ai pati njoftuar se një vëlla tjetër i tyre, Bujar Syla, është dëshmor i luftës së fundit në Kosovë. /Insajderi.org/