Kurti me vete verës në Greqi mori edhe asistentin personal, sa iu paguan mëditje shoqëruesit të kamotshëm të kryeministrit? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Analiza

    Kurti me vete verës në Greqi mori edhe asistentin personal, sa iu paguan mëditje shoqëruesit të kamotshëm të kryeministrit?

    Insajderi
    06 December 2023 - 17:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pjesëmarrës tradicional në simpoziumin ndërkombëtar SYMI që mbahet në Greqi. Sikurse edhe vitin e kaluar, Kurti mori pjesë edhe këtë vit, përgjatë muajit korrik. Kurti, përveç një pjesëtari të mbrojtjes së afërt, me vete kishte, Liman Hotin, me post ‘asistent personal i kryeministrit’ në Zyrën e Kryeministrit. Hoti shoqëronte si shofer kryeministrin shumë moti, i cili se ka fshehur pëlqimin e tij për Vetëvendosjen. Përveç shpenzimit të biletës, shoferi i Kurtit iu pagua edhe mëditja.

    Kërkesës së Insajderit për qasje në dokumente publike lidhur me shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit për vizitën e Kurtit dhe shoqëruesve të tjerë në simpoziumin SYMI iu janë përgjigjur pozitivisht ky institucion.

    Sipas Zyrës së Kryeministrit, shpenzimet e udhëtimit/bileta të aeroplanit për asistentin personal të kryeministrit, Liman Hotin dhe një pjesëtar të mbrojtjes së afërt kanë kushtuar në total 805 euro.

    Nga ZKM-ja njoftojnë për Insajderin se personi i vetëm që ka marrë mëditje nga qëndrimi në Greqi ka qenë asistenti personal i Kurtit, i cili në total është paguar 288 euro.

    Gjegjësisht, vizita e Kurtit me shoqëruesit i ka kushtuar në total 1093 euro buxhetit të Kosovës.

    Asistenti personal i kryeministrit (Liman Hoti në të majtë) dhe kryeministri Kurti (në të djathtë)

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës parvjet dhe vjet ka njoftuar se shpenzimet e akomodimit janë mbuluar nga organizatori. Në përgjigjet që iu janë dhënë gazetës, s’përfshihen shpenzimet e akomodimit.

    Hoti kishte qenë në Greqi me Kurtin edhe vitin e kaluar. Ai kishte shpërndarë fotografi në rrjete sociale duke shijuar pishinën e një hoteli atje gjatë kohës sa po mbahej simpoziumi ndërkombëtar SYMI.

    Për Hotin ishte përfolur për emërimin e tij si këshilltar politik i Kurtit, por i cili e kishte demantuar. Pozita e tij aktuale në Zyrën e Kryeministrit është ‘asistent personal i kryeministrit’.

    Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI u themelua nga ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit. Edicioni i sivjetëm u titullua “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus”.

    Këtë vit ishte bërë hera e gjashtë që Kurti kishte marrë pjesë në këtë simpozium.

    Kryeministri gjatë ngjarjeve të Simpoziumit Symi që po mbaheshin këtë vit në Greqi, kishte takuar edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark