Dosja e Prokurorisë | Si u tjetërsuan 2.1 hektarë tokë të shtetit në bashkëpunim me katër zyrtarët e Fushë Kosovës - Insajderi
×
Analiza

Dosja e Prokurorisë | Si u tjetërsuan 2.1 hektarë tokë të shtetit në bashkëpunim me katër zyrtarët e Fushë Kosovës

Insajderi
12 January 2024 - 17:25
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të Komunës së Fushë Kosovës, të njëjtit dyshohen për veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”,  si dhe ndaj dy qytetarëve të cilët po dyshohet për “falsifikim të dokumenteve”. Hetimet kanë nisur nën dyshimin e tjetërsimit të mbi 2.1 hektarë tokë apo sipërfaqen prej 21 mijë e 379 metër katror. Insajderi ju sjell detajet e aktakuzës, për çka akuzohet secili prej tyre.

Liridona Mustafa-Sadiku, zyrtare ligjore në Drejtorinë e Gjeodezisë, kadastrit dhe Pronës, Ejup Gërgrui, operator kadastral në Drejtorinë e Gjeodezisë, kadastrit dhe Pronës, Fehmi Mustafa, Shef i Kadastrit në Drejtorinë e Gjeodezisë, kadastrit dhe Pronës dhe Jakup Tërnava, Drejtor në Drejtorinë e Gjeodezisë, kadastrit Pronës në Komunën e Fushë Kosovës akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zyrtarët e kësaj komune u deklaruan të pafajshëm në mars të 2023-ës, lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Bekim Sabedini dhe Zoran Ballaban dyshohet për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.

Për çka dyshohen secili prej tyre?

Bekim Sabedini me profesion furrat, po dyshohet se ka kontribuar në falsifikim të dokumenteve së bashku me Zoran Ballabanin, ky i fundit ishte arratisur në kohë e ndalimit ndaj të dyshuarve.

Ballaban kishte falsifikuar aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, që pastaj tokë përfundoi duke u regjistruar në Komunën e Fushë Kosovë. Këtë po dyshohet se e realizoi në bashkëkryerje me Bekim Sabedinin, të cilin e kishte autorizuar për të ndërmarrë veprimet tjera penale.

“I pandehuri Zoran Ballaban i cili gjendet në arrati, ka falsifikuar Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë P-1381/90, të dt:30.08.1994, që ka të bëj me ngastrën kadastrale 187/1, ZK Fushë Kosovë në sipërfaqe prej 21379 metër katror, e cila është pronë shoqërore e të dëmtuarës PSH “KBI KOSOVA- EXPORT” e cila administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe pastaj ka legalizuar me përmbajtje të rreme Aktgjykimin e falsifikuar C.nr.1381/90, të dt:30.08.1994, tek noteri S. D, në Komunën e Podujevës, i pandehuri Zoran Ballaban me dt:22.12.2015 e ka autorizuar për përfaqësim të pandehurin Bekim Sabedini që të ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për parcelën nr.187/1 ZK Fushë Kosovë, ashtu që i pandehuri Bekim Sabedini me dt:22.12.2015, pasi ka pranuar autorizimin e dhënë për përfaqësim nga i pandehuri Zoran Ballaban LRP-BR.-4349/2015, i noterizuar tek noteri S. D, për parcelën nr.187 ZK Fushë Kosovë me Aktgjykimin e falsifikuar me C.nr -1381/90, të dt:30.08.1994 dhe Vendimin e Komunës së Prishtinës me nr.8029 të dt:14.04.1964, i pandehuri i lartëcekur Bekim Sabedini me dt: 12.04.2016, e ka noterizuar Aktgjykimin e falsifikuar C.nr -1381/90 të dt:30.08.1994 tek noteri S. D në Komunën e Podujevës Aktgjykimin e Gjykatës Komunale me numër C.nr-1381/90 të dt:30.08.1994 e legalizon përmbajtjen e pavërtetë, duke prezantuar Aktgjykimin e lartëcekur të falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë”

Siç thuhet në dosje, Sabedini bën kërkesë për regjistrim të parcelës në vitin 2016, dhe prona arrinë të regjistrohet në emër të familjarit të Zoran Ballabanit, Bogdan Ballaban ndërkohë që Zoran Ballaban ishte i njoftuar për revokimin e pronës.

Kështu sipas prokurorisë, Ballaban me certifikatë të kundërligjshme arrinë ta përvetësojë pronën, duke i vënë në lajthitje edhe dy persona.

2.1 hektarë tokë, nga Ballaban u shitën në vlerë prej 170 mijë euro.

“…ashtu që me dt:19.07.2016, i pandehuri i lartëcekur Bekim Sabedini bënë kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, për regjistrimin e Parcelës me nr.187/1 ZK Fushë Kosovës dhe arrinë të regjistroj pronën në emrin e personit Bogdan Ballaban, ashtu që i pandehuri i lartëcekur Zoran Ballaban, edhe pse i njoftuar lidhur me revokimin e Aktvendimin nr.14-016-22996 i lëshuar me dt:17.10.2016, nga Drejtoria e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës Komuna e Fushë Kosovës, lidhur me parcelën 187/1 me sipërfaqe 21379 metër katror, ZK Fushë Kosovë, i pandehuri Zoran Ballaban në mënyrë të kundërligjshme është pajisur me certifikatën e pronës nr.14-942-21432 e dt:20.06.2017, në emër të Bogdan Ballaban, ku me këtë certifikatë figuron edhe Ngastra Kadastale P-72514036-00187-1 me sipërfaqe 21379 metër katror, ZK Fushë Kosovë e më pas i pandehuri i lartëcekur Zoran Ballaban, ka legalizuar përmbajtje të rreme dhe ka bërë Akt-trashëgimin tek Noteri K. R në Komunën e Graçanicës, e më pastaj i pandehuri Zoran Ballaban, ka arritur që këtë ngastër kadastrale, 187/1 Zona Kadastrale Fushë Kosovë, në sipërfaqe 21379 metër katror prej Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës Komuna e Fushë Kosovës, ta bartë në emrin e tij,e dhe më pastaj duke i vënë në lajthim të dëmtuarit B. H dhe F. L, ka arritur të iu shes ngastrën e lartëcekur në shumë prej 170.000 Euro (Një qind e shtatëdhjetë mijë euro)”, thuhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar Insajderi.

Akuza ndaj katër zyrtarëve të Komunës së Fushë Kosovës

Liridona Mustafa-Sadiku në pozitën e zyrtares ligjore, në Drejtorinë e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës, në Komunën e Fushë Kosovës, sipas prokurorisë “duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e saj zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, e njëjta duke tejkaluar autorizimet zyrtare, ka nxjerr aktvendimin e dt:22.08.2016, me nr. të lëndës /prot 14-016-22996/2016, Zona Kadastrale Fushë Kosovë, ku është aprovuar kërkesa e Ballaban Bogdan për ngastrën kadastale me nr 187/1 me sipërfaqe 21379 metër katror, duke mos e verifikuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Zyrtarja ligjore, gjithmonë sipas akuzës së prokurorisë ka marrë të dhëna nga dy aktgjykime ku ngastrën me nr 187/1 Zona Kadastrale Fushë Kosovë, me sipërfaqe 21379 metër katror, e merr nga lënda nr. C.nr1381/90 të dt:30.08.1994, kurse numrin e lëndës në sipërfaqe 21379 metër katror, e merr nga lënda me numër C.nr-1381/90 të dt:30.08.1994) kurse numrin e lëndës në Aktvendim e shkruan C.nr. 1378/90, Aktgjykim lidhur me ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 287.52 ari, të cilat Bogdan Ballaban vite më herët e kishte shitur.

“Liridona Mustafa Sadiku edhe pse duke ditur që lënda ka pasur aktvendim për revokim, aktvendim për bartje e posedim, e pandehura Liridona Mustafa Sadiku ka nxjerr aktvendim për bartje, posedim të trashëgimisë, të cilin e ka nënshkruar Shefi i Kadastrit i pandehuri Fehmi Mustafa për të njëjtën ngastër kadastrale nr 187/1 Zona Kadastrale Fushë Kosovë, me sipërfaqe 21379 metër katror, në emër të pandehurit Zoran Ballaban, zyrtari i operatit kadastral i pandehuri Ejup Gërguri ka lëshuar çertifikatën e pronës për ngastrën e lartëcekur, në emrin e të pandehurit Zoran (Bogdan) Ballaban me nr të lëndës 14-463-32086 të dt:31.05.2019, duke e ditur që ngastra e lartëcekur nr 187/1 Zona Kadastrale Fushë Kosovë, me sipërfaqe 21379 metër katror, është pronë shoqërore e të dëmtuarës PSH KBI” Kosova Export” e cila nga Agjencia Kosova e Privatizimit“, thuhet në dosje.

Ejup Gërguri – operator kadastral në Drejtorinë e Gjeodezisë, kadastrit dhe Pronës

Sipas Prokurorisë, Ejup Gërguri në cilësinë e operatorit kadastral duke tejkaluar autorizimet zyrtare, ka lëshuar certifikatën e pronës me emrin e Bogdan Ballabanit, ani pse ishte bërë revokimi i aktvendimit.

Certifikata ishte nënshkruar e vulosur nga Ejup Gërguri si dhe nga Jakup Tërnava, drejtor i Kadastrit në Komunën e Fushë Kosovës, edhe pse i pandehuri Zoran Ballaban ka qenë në dijeni lidhur me procesin e revokimit të aktvendimit.

Prokuroria pretendon se ky veprim i dy zyrtarëve u bë në mënyrë të kundërligjshme.

Akuza ndaj Fehim Mustafës

Fehmi Mustafa në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e Shefit të Kadastrit në Drejtorinë e Gjeodezisë Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, sipas prokurorisë i ka mundësuar Ballabanit tjetërsimin e pronës, ani pse edhe ky ishte në dijeni të revokimit të vendimit me të cilën Zoran Ballban nuk kishte të drejta mbi pronën që ishte nën administrimin e shtetit, AKP-së.

“duke e shfrytëzuar detyrën e apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, edhe pse ka qenë revokimi i aktvendimit për ngastrën kadastrale 187/1, Zona Kadastrale Fushë Kosovë, me dt.31.05.2019, me nr reference të lëndës 14-463-32086, është përpiluar dhe nxjerr Aktvendimi për bartje, posedim të trashëgimisë në emrin e të pandehurit Zoran Ballaban, nga ana e të pandehurës Liridona Mustafa Sadiku e nënshkruar, dhe e vulosur dhe e nënshkruar nga i pandehuri Fehmi Mustafa“, thuhet në dosjen të cilën e ka siguruar Insajderi.

Akuza ndaj Jakup Tërnavës – Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë Kosovës

Sipas prokurorisë, Tërnava dyshohet se nuk e ka verifikuar fare lëndën dhe përpilimin e aktvendimit, i cili do t’i pamundësonte Zoran Ballanit përvetësimin e pronës së shtetit.

Kjo sipas prokurorisë nxit dyshimet se drejtori ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër.

“…i pandehuri i lartcekur Jakup Tërnava, nuk e ka verifikuar fare lëndën dhe përpilimin dhe nxjerrjen e Aktvendimit me dt:22.08.2016, me numër të lëndës/protokollit 14-016- 22996/2016 Zona Kadastrale Fushë Kosovë, ku është aprovuar kërkesa e Ballaban (Bogdan) Glisha, për ngastrën kadastrale 187/1 në sipërfaqe 21379 metër katror, duke e ditur që është prone shoqërore e Ndërmarrjes Shoqërore PSH “KBI KOSOVA-EXPORT”, e cila administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, duke mos e verifikuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë me C.nr-1381/90 të dt:30.08.1994″, thuhet në dosje.

Me 14 mars të 2023-ës, në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Jakup Tërnava, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës  dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Potencojmë se “Personi apo personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata”.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark