
Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Petrit Selimi, ka folur për situatën e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë.
Selimi në një intervistë për ‘Epokën e re’, tha se Qeveria duhet t’i qartësojë rregullat e këtyre vizitave, duke e shtruar si çështje edhe në Bruksel.
Po ashtu Selimi, i cili ka qenë anëtar i Komisionit shtetëror për liritë fetare, ka shprehur përkrahje të madhe për nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ta futur mësimin mbi fe në shkolla.
Kryeministri Rama ka arsyetuar futjen e mësimit fetar në shkolla duke thënë se është mjet parandalues ndaj propagandës.
“Besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare. Ti çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije mundësinë të armatoset me instrumentat e dijeve dhe të mos jetë viktimë e propagandave tunduese të atyre që s’kanë asnjë lidhje me profetët që i çelën rrugë qytetërimeve të sotme dhe që në emër të islamit kryejnë krime të cilat janë të destinuara të ndëshkohen,” pati deklaruar Rama. (Epoka e Re)