
Lëvizja Vetëvendosje konsideron se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në territorin e Kosovës është ndërhyrje dhe sulm ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në një konferencë për media, nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se zgjedhjet serbe në Kosovë janë dështimi i radhës i kryeministrit Isa Mustafa.
“Qeveria e Mustafës nuk ka ndërmarrë asgjë kundër mbajtjes së zgjedhjeve. Po shihet si pjese e territorit të Serbisë andaj ata po mbajnë zgjedhje. Me mos veprimin e tyre dhe tolerimin e tyre, Qeveria e Kosovës është vënë në dispozicion të kushtetutës serbe”, ka thënë Mustafa.
Konjufca i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të konfiskojë çdo material zgjedhor që hynë në Kosovë.
“Nëse ka dështuar qeveria në ketë aspekt, të mos dështojë policia të zbatojë ligjet. çdo material që vjen duhet të konfiskohet nga Policia e Kosovës. Ne nuk dëshirojmë që të gjitha hallka të dështojnë”, ka thënë Konjufca, duke iu referuar policisë e gjyqësisë.
Sipas tij, edhe ministrat serb të Qeverisë së Kosovës po bëjnë thirrje që të votohet kryeministri serb, Aleksandar Vuciq.
“Stojanoviq është ministër i Mustafës dhe ka kërkuar dhe bënë thirrje për të votuar Aleksandar Vuciqin. Ministrat serb të qeverisë Mustafa po i ndihmojnë zgjedhjet serbe.”
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa dhe njëherësh zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë të mërkurën se gjithë qytetarët e Kosovës të etnisë serbe kanë edhe shtetësinë e Serbisë, e si të tillë, ne duhet t’u mundësohet atyre që, nëse dëshirojnë të votojnë edhe për shtetin prej të cilin kanë shtetësi./Insajderi.com