
Në një listë sipas të cilës përcaktohet lirisë së medieve në botë, Kosova ndodhet afër vendeve si Mozambiku, Bregu i Fildishtë, Kirgistani, Liberia dhe Kuvajti.
Kështu është njoftuar sot në raportin e ri të Reporterëve pa Kufi, sipas të cilës, ka pasur përkeqësim të lirisë së medieve në Kosovë.
Kosova ka humbur tetë vende në listën e vendeve të botës sa i përket lirisë së medieve.
Derisa në vitin 2014 Kosova gjendej e pozicionuar në vendin 80, raporti i fundit i Reporterëve pa Kufi e liston Kosovën si të 87-ën.
Shqipëria, sipas kësaj rangliste, ndodhet në vendin e 82.
Indeksi i Reporterëve pa Kufi mat performancën e 180 vendeve nga e gjithë bota. Kriteret ndër të tjerash përfshinë pluralizmin media, respektim i sigurisë dhe lirisë së gazetarëve, si dhe ambientin ligjor, institucional dhe infrastrukturor në të cilat mediet operojnë.
Ashtu siç ndodh zakonisht, në tri vendet e para sa i përket lirisë së medieve janë tri vendet skandinave: Finlanda që është në vendin e parë në pesë vitet e fundit, e përcjellë nga Norvegjia e Danimarka. Në vendin e katërt dhe të pestë janë Holanda dhe Suedia, respektivisht.
Në anën e kundër të kësaj liste, ndodhen vendet si Turkmenistani, Koreja Veriore dhe Eritrea.
Vendet që u ngritën më së shumti në këtë listë janë: Mongolia me 34 vende, Tonga me 19 vende, Madagaskari me 17 vende, e të tjera. Në anën tjetër, vendet që shënuan rënie në këtë listë janë: Andorra, Timori Lindor, Kongo, Italia dhe Islanda.
Të mërkurën, një raport i Freedom House tha se ka pasur një përparim të lehtë në zhvillimin e medies në Kosovë.
Sipas raportit Vendet në Tranzicion të publikuar të martën, “korniza ligjore e kushtetuese e Kosovës paraqesin garanci të fortë për lirinë e shprehjes dhe të medieve por, zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të mbetet çështje problematike”./Insajderi.com