
Njëri prej të miturve që u godit dje nga vetura në Pejë është duke u trajtuar në QKUK përkatësisht në Mjekimin Intensiv Qendror. Për gjendjen e tij për Insajderin ka folur drejtori i kësaj klinike, Shaqir Uka.
Uka u shpreh se lëndimet e tij janë serioze por që gjendja e përgjithshme prezantohet me qenë më stabile.
“Pacienti të cilit i referoheni është sjell dje në Mjekimin Intenziv Qendror po vazhdon me qëndru i lidhur me barna dhe aparaturën mjekësore. Lëndimet janë serioze, gjendja e përgjithshme e tij për momentin prezantohet me qenë stabile. Tani jemi në fazën e ekzaminimeve dhe në fazën ku jemi duke u mundur ta stabilizojmë gjendjen e përgjithshme“, ka thënë ai për Insajderin.
Dy këmbësorë, 8 dhe 9 vjeçar janë goditur nga një veturë.
Të lënduar kanë mbetur edhe dy persona tjerë të cilët ishin në motoçikletë, edhe ata dy meshkuj kosovar.
Për rastin detaje janë dhënë edhe në raportin 24 orësh, ku bëhet me dije se shoferi është dërguar në mbajtje.
“Pejë 07.04.2024-14:44. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, me veturë nga pa kujdesia ka goditur dy këmbësor meshkuj kosovarë, si dhe një motoçiklist me pasagjer meshkuj kosovarë. Katër viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje“, thuhet në raport.
Detaje për Insajderin ka dhënë edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
Ai konfirmoi se dy të miturit kanë marrë lëndime të rënda dhe se njëri është dërguar në QKUK, ndërsa tjetri po trajtohet në spitalin e Pejës.
“Një person është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit për shkak të veprës penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’, ku janë goditur nga vetura dy të mitur këmbesorë. Njëri prej tyre është dërguar për tretman mjeksor në QKUK, kurse tjetri ne Spitalin e Pejës. Dy të miturit kanë lëndime të renda trupore”, tha Nikçi.