Presidentja Vjosa Osmani ka folur lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës është pyetur nëse do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. E pyetur nëse do ta dërgojë ajo draft-statutin e Asociacionit nëse Qeveria s’e bën, Osmani ka thënë se mandati i Presidentes është i kufizuar.
“Në vitin 2017-2018 dhe në vitin 2021, ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngritur çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese në qoftë se një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113”, ka deklaruar ajo, shkruan Gazeta Insajderi.
“Pra, në të kaluarën ka ekzistuar kjo e drejtë. Siç e dini, në vitin 2015 është shfrytëzuar, në kohën 2008-2010 është shfrytëzuar disa herë. Mirëpo që nga viti 2018 e tutje, nëpërmjet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, është kufizuar kjo e drejtë e Presidentes. Pra, patjetër duhet të ketë akt paraprak të qeverisë, i cili jo domosdoshmërish duhet të pajtohet me përmbajtjen e statutit, por të gjendet një mënyrë që të përcillet tutje”, ka shtuar tutje ajo.
“Natyrshëm që një hap i tillë duhet të bëhej në qoftë se ka plan sekuencimi dhe në qoftë se edhe Serbia zbaton në të njëjtën kohë dhe si alternativë në qoftë se bashkësia ndërkombëtare i ofron Kosovës anëtarësim në organizata të cilat janë të domosdoshme për ecjen euro-atlantike të vendit tonë dhe për sigurinë e vendit tonë, sepse në fakt sfida më e madhe me të cilën ne përballemi është sfida e sigurisë, të cilën e krijon Serbia dhe pastaj kjo sfidë krijon shumë të tjera, qoftë në aspektin ekonomik apo të investimeve të jashtme dhe shumë të tjera”. /Insajderi.org/