Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ditën e dëshmorëve të kombit shqiptar, tha se trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim.
“5 maji është dita e dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë kudo dhe kurdo gjatë historisë. Andaj sot i kujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë në të gjitha etapat e së kaluarës sonë. Trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim”, ka shkruar Kurti.
Më tutje Kurti tha se dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit.
“Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcjillen si mësime dhe frymëzime ndër breza. Çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri thotë se dëshmorët janë të vetmit që e kanë përfunduar dhe vulosur angazhimin e tyre për vendin, për lirinë dhe për atdheun.
“Ne të gjallët e sotëm dhe të brezave pasardhës, e kemi për detyrë të përditshme angazhimin dhe përpjekjen për atdheun, për lirinë dhe për vendin”.