Nisma Socialdemokrate ka vlerësuar se “hezitimi për të qenë pjesë e një fronti të bashkuar” opozitar u pa në, siç e quajtën ata, nxitimin e Memli Krasniqit, kryetarit të PDK’së, koordinimin me shefin e Qeverisë, Albin Kurtin.
Ata përmes një komunikate për media kanë kërkuar shkarkimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit përmes mocionit të mosbesimit ose dorëheqjen e tij, shkruan Gazeta Insajderi.
“Kosovës i ka munguar zëri opozitar, andaj kërkesa për bashkërendimin e opozitës ka qenë natyrale, derisa hezitimi për të qenë pjesë e një fronti të bashkuar tanimë po deshifrohet me nxitimin e Memli Krasniqit, i cili para koordinimit me opozitën zgjodhi të dakordohet me Albin Kurtin”, thuhet në komunikatë.
“Në rrethanat aktuale, opozita duhet ta ketë vetëm një qëndrim të përbashkët, dorëheqjen e Albin Kurtit apo shkarkimin përmes mocionit, i cili do të rezultonte me shpërbërjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje!”.
“Shpërndarja e Kuvendit pa dorëheqje ose shkarkim të qeverisë është bartje e fajit nga qeveria te Kuvendi edhe pse përgjegjës për degradim të tërësishëm të shtetit në të gjitha sferat e jetës është qeveria dhe jo Kuvendi”, vijon tutje komunikata.
Në fund të komunikatës, i bëhet thirrje opozitës që të thërrasin seancë dhe të shkarkojnë Qeverinë. /Insajderi.org/