Zogaj rizgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Zogaj rizgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor

    Insajderi
    04 July 2024 - 10:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjyqtari Albert Zogaj është rizgjedhur sot kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Ai është zgjedhur me votat e 11 anëtarëve të KGJK-së që morën pjesë në votim, kurse anëtarja Radojka Trifunovic nuk ishte e pranishme në mbledhje dhe vota e saj u konsiderua si abstenim.

    Zogaj ka marrë të gjithë votat e anëtarëve prezentë, derisa ka qenë kandidati i vetëm në këtë garë.

    Zogaj parapakisht ka prezantuar planin e tij, tek ka folur edhe punën e tij për 3 vjet në krye të këtij institucioni.

    Mandati i tij fillon më 7 korrik dhe do të zgjasë tri vjet.

    Ndryshe, Albert Zogaj ishte zgjedhur gjyqtar në tetor të vitit 2010. Nga viti 2015 e deri në vitin 2020, ai kishte qenë gjyqtar i divizionit civil në Gjykatën e Apelit. Në shtator të vitit 2020, ishte avancuar në Gjykatën Supreme.

    Pak muaj më vonë, ai ishte zgjedhur edhe anëtar i KGJK-së nga radhët e Supremes.

    Pasi ishte zgjedhur në këtë pozitë në KGJK, ai kishte marrë edhe funksione të tjera brenda Këshillit, përkatësisht, ishte zgjedhur në pozitën e anëtarit rezervë në Komisionin e Përhershëm për Administrimin e Gjykatave, anëtar i Komisionit Vlerësues për kandidatët për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren dhe anëtar i grupit punues për hartimin e raportit faktmbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore (KGJK).

    Po ashtu, Zogaj para pak ditësh është emëruar edhe kryetar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Një emërim i tillë ishte cilësuar kundërligjor nga opozita në Kuvendin e Kosovës, si dhe nga një pjesë e shoqërisë civile.

    Po ashtu, Zogaj është edhe ligjërues në Kolegjin “AAB”. Gjithashtu, ai që një kohë është edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë.

    Në janar të këtij viti, ai kishte nënshkruar edhe një kontratë me një organizatë joqeveritare për angazhimin e tij si konsulent i pavarur për një periudhë pesëmujore.

    Në paraqitjen e vizionit të tij si kryesues i KGJK-së, Zogaj ka thënë se do të heqë dorë nga angazhimi në Akademinë e Drejtësisë, ndërsa pozita e gjyqtarit i pezullohet me zgjedhjen e tij si kryesues.

    Ai ka thënë se përveç pozitës si kryesues i KGJK-së, do të vazhdojë të mbajë edhe pozitën e kryetarit të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës dhe eventualisht angazhimin si ligjërues në fakultet.

    Në deklarimin e tij të pasurisë që kishte bërë në vitin 2020, Zogaj kishte deklaruar të ardhura vjetore prej 38,710.00 euro.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark