Insajderi
Lajme

“Kemi krijuar komision, dorëheqja është më e lehta”, Kryetari i bordit të RTK-së reagon për skandalin me fakenews

Insajderi
25 July 2024 - 22:14
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Kemi krijuar komision, dorëheqja është më e lehta”, Kryetari i bordit të RTK-së reagon për skandalin me fakenews
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ditën e sotme ka kërkuar të largohet nga pozita e redaktorit të lajmeve qendrore në RTK, Jeton Musliu, kjo pas kritikave të shumta për publikimin e një lajmi në këtë medium pa plotësuar standardet për publikim. Ai madje tha se kishte presion të vazhdueshëm nga Rilind Gërvalla, drejtor i TV, dhe Leonora Bërbatovci, për lajmin e “Slobodna Bosna”, përmes të cilit pretendohej se dy portalet, Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini lidhur me këtë skandal të mediumit publik, tha për Gazetën Insajderi se dorëheqja është më e lehta.

Ai ka treguar se sot është krijuar komisioni Ad-Hoc për shqyrtimin e lajmit kontrovers të transmetuar në RTK.

“Sot është krijuar komisioni Ad-Hoc për shqyrtimin e lajmit kontrovers të transmetuar në RTK, i cili është marrë dhe përkthyer nga një medium boshnjak. E inkurajoj komisionin që ta trajtojë sa më shpejtë që të jetë e mundur këtë rast dhe të dal me një raport profesional dhe objektiv dhe rrjedhimisht ai të vij edhe si propozim në bord. Kam përshtypjen që nga jashtë nuk kuptohen procedurat e vendimmarrjes në RTK. Do të ishte ideale sikur të ishin sikur në sektorin privat. Bordi nuk mund të marrë as edhe një veprim të vetëm pa pasur propozim. Në rastin konkret bordi nuk mund të ndërmarrë asgjë pa e kryer punën e vet komisioni që është emëruar tashmë“, tha Boletini për Insajderin.

Tutje, ai tha se dorëheqja në situata komplekse është zgjidhja me e lehtë, por që sipas tij për të prioritet është kërkimi rigoroz i përgjegjësisë

“Sa i përket pyetjes për dorëheqje, nga këndvështrimi im, në situata komplekse zgjidhja me e lehtë është dorëheqja, është zgjidhje e problemit në rrafshin personal. Por, në situatën ku jemi, prioritet imi është kërkimi rigoroz i përgjegjësisë për lëshimin që është bërë, jo ikja nga problemi dhe përgjegjësia. Raportimet që bazohen vetëm në pretendime dhe të pabazuara është e papranueshme të kenë vend në RTK. Pas adresimit të kësaj përgjegjësie deri në fund, te të gjithë personat e përfshirë, atëherë gjëja më e lehtë e mundshme është të shoh pozicionin tim“, u shpreh ai./Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark