
Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT është duke mbajtur sekret pronësinë e 11 apartamenteve për të cilat janë ngritur shqetësime edhe në Repartin e Auditorit. As për Gazetën Insajderi e as për Auditorin kjo ndërmarrje nuk po raporton se kush është duke i shfrytëzuar këto apartamente që kapin shumë 158,460 mijë euro.
Raporti i Auditorit ka raportuar se ndërmarrja KOSST ka në regjistrat e saja të regjistruar 11 apartamente me vlerë neto 158.460Euro.
Për këto apartamente ndërmarrja nuk ka informatë të statusit të tyre pronësor. Edhe sipas raportit të komisionit të inventarizimit, ky komision e kishte të pamundur identifikimin e këtyre apartamenteve dhe për të njëjtat nuk kishte dhënë informata të tjera nëse të njëjtat janë në shfrytëzim nga ndërmarrja.
Sipas raportit, mos përditësimi i regjistrimit të pasurisë ndikon në vlerësimin e pasurisë afatgjate në pasqyrat financiare.
Po ashtu në Raportin e Auditorit thuhet se “edhe pse ndërmarrja kishte formuar komisione përkatëse për identifikimin e saktë të pronave, një gjë e tillë nuk ishte bërë për shkak të diferencave që ekzistojnë në sipërfaqe të tokave të regjistruara në regjistrin e pasurive të bartura nga KEK-u dhe fletëve poseduese të dërguara nga zyra ligjore”.
Lidhur më këto banesa, Gazeta Insajderi rreth më shumë se një javë ka dërguar pyetje tek KOSST’it por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Muajin e kaluar Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Jeton Mehmeti kishte raportuar në Komisonin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ku ka shqyrtuar raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT.
Gjatë komisionit, Mehmeti ka thënë para deputetëve se është i vetmi bord i drejtoreve në një ndërmarrje publike që japin llogari publikisht në Kuvendin e Kosovës.
Por, Mehmeti nuk po jep llogari se kush është duke i shfrytëzuar këto banesa për të cilat ka raportuar edhe Audotri.
/Insajderi.org/