
Numri i imamëve shtetërorë të Turqisë në Zvicër që nga viti 2013 e deri sot pothuajse është dyfishuar, dhe këtë e ka bërë të mundur zbutja që ka bërë organet kompetente në praktikën e saj të dhënies së lejeve.
E për rritjen e numrit të imamëve dhe financimin e tyre akuzohet kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Sipas gazetës zvicerane “SonntagsZeitung”, ka disa vite që në xhamitë e turqve dhe të myslimanëve në përgjithësi në vend po ndjehen të fuqishëm shkaku i ndikimit të presidentit turk, Erdoganit.
Imamët sipas gazetës përfaqësojnë një islam tepër konservativ mirëpo edhe flasin dobët gjermanishten.
Sipas tyre mjetet materiale, personeli dhe përmbajtjet e xhamive, gjithnjë e më tepër po përcaktohen drejtpërdrejt nga shteti turk.
Gazeta shkruan se ministria shumë e fuqishme e religjionit në Ankara aktualisht financon 35 imamë, ose një rrjet predikuesish që e përshkon gjithë Zvicrën.
Në anën tjetër njohësit e fushës së islamit kërkojnë marrje të masave për “imamët e importuar” në Zvicër.
“Nuk guxon të lejohet që Erdogani të vendosë se çfarë islami është legjitim në Zvicër”, thotë kryetarja e Forumit për Islamin Përparimtar, Saida Keller-Messahli.
“Në këtë mënyrë edhe krijohen shoqëritë paralele. Për këtë arsye politika duhet të ndalojë financimin e xhamive nga jashtë, ashtu siç po bën për shembull Austria”, ka thënë ajo.
Sipas frekuentuesve të xhamive lutjet e të premtes (xhumaja) po bëhen gjithnjë më shumë platformë për propagandë antiperëndimore. Grave u imponohet të bartin mbulesë koke.
Turqia, mbështet edhe 50 shoqata xhamish në Zvicër përmes një fondacioni nga Cyrihu./Insajderi.com