
Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në aksin rrugor “Shëngjin-Lezhë”.
Një 30-vjeçar ka humbur drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një shtyllë ku për pasojë ka gjetur vdekjen.
Si pasojë e përplasjes ka mbetur i dëmtuar rëndë dhe pasagjeri tjetër në mjet, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës për të marrë një trajtim më të specializuar mjekësor.
Grupi hetimor dhe policia po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor “Shëngjin-Lezhë”, shtetasi Gj. V., 30 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur me një shtyllë në anë të rrugës.
Nga përplasja ka humbur jetën 30-vjeçari dhe është dëmtuar pasagjeri në këtë automjet, shtetasi A. V., i cili është transportuar në Spitalin e Traumës dhe aktualisht është në gjendje të rëndë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e policisë./Euronews Albania/