
Ndër premtimet më të rëndësishme që Albin Kurti si opozitar i kishte dhënë zë ka qenë Ligji për Sigurime Shëndetësore. Pothuajse në çdo tubim ai kishte përmendur se sapo të vijë në pushtet të të ketë më prioritet Sigurimet Shëndetësore, shkruan Insajderi.
Kurti si opozitar e kishte quajtur paradoksale se si automjetet në Kosovë kanë sigurime shëndetësore ndërsa njerëzit brenda tyre jo.
“Sot në Kosovë është një situatë paradoksale kur ka sigurime për automjete por jo për njerëzit brenda këtyre automjeteve” kishte deklaruar Kurti në vitin 2019.
Po ashtu, Albin Kurti si kandidat për kryeministër kishte premtuar se qysh në javën e parë të qeverisjes së tij do të fillojë të gjitha përgatitjet me shpejtësi për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në mars të vitit 2025 po bëhen katër vite që Albin Kurti është në krye të ekzekutivit dhe qytetarët e Kosovës ende nuk kanë sigurime shëndetësore.
E për këtë, Kurti duket që i ka zbehur qëndrimet e tij. Kurti në deklaratën e fundit për sagën e Sigurimeve Shëndetësorë u mundua që t’ua paraqes qytetarëve si të pa rëndësishëm Sigurimin Shëndetësor duke i paralajmëruar se kjo do të ju kushtoj në xhepin e tyre.
“Duhet ta kemi një gjë parasysh se kur të bëhen sigurimet shëndetësore do të ketë një kosto shtesë te qytetari, sepse sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vonë. Ndërkohë që nuk duhet harruar që për shumicën dërmuese të shërbimeve në Kosovë dhe për kujdesin shëndetësor paguhet pak ose fare pak. Pra, nuk është që sot qytetarët paguajnë tepër shumë dhe rrjedhimisht sigurimet shëndetësore do të na bëjnë të paguajmë më pak. Në fakt është e kundërta, do të na duhet të paguajmë njëherë në menytë që të mos paguajmë më kurrë” tha Kurti të martën.
Deklarata e tij para gazetarëve vijon me fjalët se “Sigurimet shëndetësore nuk duhet parë si shkop magjik që do t’i parandalojë sëmundjet ose do të na eliminojë ato që i kemi”.
Ne planifikojmë shumë, përgatitemi gjatë, në mënyrë që të ekzekutojmë shpejt. Në të kaluarën, ka pasur pak përgatitje e planifikim dhe stërzgjatje e zvarritje të ekzekutimit. Sivjet do ta kemi patjetër të kaluar në Kuvendin e Republikës sigurimet shëndetësore.“ – tha Kurti.