
Donika Kadaj-Bujupi ishte një ndër kandidatët më të votuar në partinë që për 13 vjet ka zhvilluar aktivitet, Aleancën për Ardhmëmrinë e Kosovës, dhe për këtë arsye partia e saj e re Vetëvendosje, e sheh shumë të rëndësishëm aderimin e saj.
Kadaj-Bujupi në zgjedhjet e vitit 2014 për Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve të certifikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë, ajo numëronte 6 mijë e 143 vota.
Në këtë drejtim, afrimi i Donika Kadaj-Bujupit në Vetëvendosje, pritet t’i konsolidoj radhët e partisë më të madhe opozitare.
Madje sipas Frashër Krasniqit, zedhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, aderimi i Kadaj-Bujupit do ta forcojë edhe më shumë VV-në në aspektin elektoral.
“Ardhja e znj.Kadaj-Bujupi patjetër që e forcon shumë Vetëvendosjen edhe në aspektin elektoral, por jo vetëm në këtë aspekt. Znj.Kadaj-Bujupi është një nga deputetet më aktive në Kuvend, edhe në momentet e protestës brenda Kuvendit”, ka thënë Krasniqi për Insajderin.
Ai theksoi rëndësinë që ka Vetëvendosja për arritjën e sa më shumë njerëzve në lëvizjen e tyre, të cilët e forcojnë kauzën e Vetëvendosjes.
“Bashkimi i sa më shumë njerëzve që janë të gatshëm edhe për protesta dhe edhe për mënyrat e tjera të kundërshtimit të kësaj qeverie, e forcon kauzen dhe organizatën tonë”, ka shtuar Frashër Krasniqi.
E në anën tjetër Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të merret shumë me ish-shefen e grupit parlamentar të tyre.
Muharrem Nitaj zëdhënës i AAK-së, i pyetur në mënyrë specifike nga Insajderi se votat që ka pasur ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi dikur në AAK do t’i kalojnë Vetëvendosjes, ai nuk është përgjigjur.
“Një ditë pas largimit të Donikës, në AAK kanë aderuar 50 zonja të respektuara, shumica prej të cilave me shkollim superior. Për mua kjo flet më shumë se sa votat e Donikës që i paska pasë dikur”, ka thënë për Nitaj.
”Donika nuk është anëtare e AAK-së prej 24 marsit. Qëndrimin tonë për largimin e saj e kemi dhënë atëherë. Se çka bën ajo tutje, është punë e saj”, i tha Nitaj Insajderit.
Donika Kadaj-Bujupi ishte deputetja e tretë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, që kishte më shumti vota në zgjedhjet e 2014-tës. I pari me vota printe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, me mbi 50 mijë vota, më pas ish-kryetari i Gjakovës Pal Lekaj, me mbi 8 mijë vota./Insajderi.com