Forca të shtuara të KFOR-it sërish në urën e Ibrit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Forca të shtuara të KFOR-it sërish në urën e Ibrit

    Insajderi
    04 September 2024 - 12:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, u vunë re edhe të mërkurën në urën e Ibrit në Mitrovicë.

    Pjesëtarë të misionit i thanë korrespondentes së Radios Evropa e Lirë në terren se bëhet fjalë për disa stërvitje.

    Ky mision ka prani të përhershme në urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

    Forca të shtuara ka pasur edhe në fundjavën e kaluar, kur misioni ka konfirmuar se ka kryer disa trajnime.

    Këto zhvillime vijnë pak ditë pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri.

    Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës.

    Kjo, përkundër faktit se për shuarjen e këtyre strukturave ka një marrëveshje që është arritur në Bruksel qysh në vitin 2013, por zbatimi i saj ka ngecur.

    Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Ngjashëm ka kërkuar të trajtohet edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e makinave, gjë të cilën Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark