
Policia e Kosovës ka arrestuar sot edhe 33 vjeçarin, Vesel Bunjakun për rastin e konfliktit Sekiraqët-Capat. Bunjaku po akuzohet për veprën penale “manipulim të provave”, përkatësisht se fshehu armën e Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit. Ndaj tij është kërkuar edhe masa e paraburgimit prej 1 muaj.
Por kjo nuk është hera e parë që Bunjaku bie ndesh me ligjin. Në të kaluarën, më saktë në vitin 2015 ai ishte dënuar si i përfshirë në vrasjen e një rreshteri të Policisë së Kosovës, shkruan Insajderi.
Ai bashkë me një grup personash dyshoheshin për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit.
Vesel Bunjaku u dënua me 7 vjet e 6 muaj burgim.
Por vetëm pastaj siç merr vesh Insajderi, gjatë këtij viti ai u lirua me kusht.
Në një rast tjetër, Buinjaku akuzohej se më 6 tetor 2014 afër shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë ka përdorur armën të cilën e mbante pa autorizim dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Ka qenë ekspertiza ajo që kishte vërtetuar se ai kishte shtënë me armë në këtë rast.
Ndërkohë tani, sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 01.09.2024, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimet me prova, i pandehuri Vesel Bunjaku merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit Salihh Sekiraqës revole me ngjyrë të zezë.
Përveç kësaj ai fsheh edhe një tjetër armë e cila dyshohet të jetë e të pandehurit Fatos Abazi me ngjyrë të bardhë, me ç’rast shkon në terasën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal sipas kohës së kamerave 21:42:36 ku në duar nuk ka më asgjë.
Prokuroria e ngarkon Bunjakun në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Manipulim me prova”.
Sot, Prokuroria Themelore ka kërkuar nga gjykata vendosjen e masës së paraburgimit.
Këtë rast është duke e ndjekur penalisht Shefi për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Prokurori Bashkim Zeqaj.
Në përplasjen mes dy grupeve në kryeqytet, mbetën të plagosur pesë persona dhe një nga ta mbeti i vrarë.
/Insajderi