
Më 20 Shtator 2024 në Ditën Botërore të Pastrimit, Organizata “Lets do it Kosova” do të organizoj pastrimin e hapësirave publike në Kosovë.
Në Kosovë, Dita Botërore e Pastrimit do të shënohet me pjesëmarrjen e mijëra vullnetarëve nga të gjitha pjesët e vendit. Ky aksion, i cili organizohet në bashkëpunim me KFOR-in dhe partnerë të shumtë institucionalë dhe privatë, synon të pastrojë hapësirat publike në qytetet dhe zonat rurale, duke përfshirë rrugët, parqet, brigjet e lumenjve dhe zonat e tjera të ndotura.
Njoftimi i plotë:
Të premten, më 20 Shtator 2024, me moton “Krijo Hapësirë Për Jetën”, do të organizohet Dita Botërore e Pastrimit, një iniciativë globale që zhvillohet në 198 shtete dhe angazhon miliona vullnetarë në mbarë botën për pastrimin e hapësirave publike. Kjo nismë synon jo vetëm të kontribuojë në një mjedis më të pastër, por edhe të rrisë ndërgjegjësimin global mbi rëndësinë e mbrojtjes së ambientit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë.
Në Kosovë, Dita Botërore e Pastrimit do të shënohet me pjesëmarrjen e mijëra vullnetarëve nga të gjitha pjesët e vendit. Ky aksion, i cili organizohet në bashkëpunim me KFOR-in dhe partnerë të shumtë institucionalë dhe privatë, synon të pastrojë hapësirat publike në qytetet dhe zonat rurale, duke përfshirë rrugët, parqet, brigjet e lumenjve dhe zonat e tjera të ndotura.
Këtë vit organizimi i këtij aktiviteti mbështetet edhe nga disa kompani vendore, dhe në aksion pritet të marrin pjesë përfaqësues të misioneve dhe ambasadave në Kosovë, organizatave ndërkombëtare, shkollave dhe shumë qytetarë. Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, Shefi i Zyrës së BE-së, z. Tomas Szunyog, dhe Ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Georg Schnetzer, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, ndërsa priten edhe ambasadorë dhe udhëheqës të tjerë të misioneve dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë. Ky aksion po mbështetet gjithashtu nga shumë artistë, gazetarë, sportistë dhe figura publike të njohura në Kosovë.
Ftesa për pjesëmarrje ju është dërguar edhe të gjitha partive politike në Kosovë, komuniteteve fetare dhe gjithë qytetarëve të vendit. Po ashtu, ftesa i është dërguar të gjitha komunave dhe një pjesë e madhe e tyre kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për këtë aksion.
Ngjarja kryesore do të organizohet në Prishtinë, do të pastrohen 5 lokacione, dhe aksioni organizohet në koordinim të ngushtë me Komunën e Prishtinës.
Grumbullimi i vullnetarëve do të bëhet në Sheshin Zahir Pajaziti, duke filluar nga ora 10:30, pas së cilës do të bëhet shpërndarja e tyre nëpër lokacionet e përcaktuara për pastrim. Të gjitha pajisjet logjistike, ushqimi, uji dhe transporti janë të siguruara.
Falenderojmë të gjithë partnerët tanë që e kanë mbështetur këtë aksion: KFOR, Komuna e Prishtinës, Prishtina Mall, Banka Ekonomike, Meridian Express, Uji Rugove, Fondacioni Akuo, KFC, Transporti Urban, KRM Pastrimi, Kuzhina Qendrore dhe Melodia PX, të cilët e kanë bërë të mundur organizimin e këtij aksioni në Prishtinë dhe në të gjitha komunat e tjera të Kosovës.
Ftojmë të gjithë qytetarët që të na bashkohen në këtë nismë të rëndësishme për ta bërë Kosovën më të pastër dhe më të bukur për të gjithë.
Për ndonjë detaj ose informacion shtesë ju lutem na kontaktoni në çdo kohë!