
Përmes një kumtese të lëshuar për medie, AAK e mbështet qëndrimin e dalë sot nga Këshilli i Përgjithshëm i VV-së që “bashkimi i kundërshtarëve të kësaj qeverie është i domosdoshëm. Ata I bënë thirrje partisë më të madhe opozitare që të bëhen pjesë e protestës së 14 majit.
“Sot, kur Kosova po rrezikohet nga brenda e nga jashtë, bashkimi i kundërshtarëve të kësaj qeverie është i domosdoshëm, qenka thënë sot në një komunikatë nga Këshilli i Përgjithshëm i VV-së. Pikërisht ky qëndrim ka kohë që është manifestuar dhe mbrojtur fuqishëm nga AAK dhe vazhdon të mbetet kursi i veprimit politik të AAK-së”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
AAK thotë se asnjëherë nuk do ta pranojë logjikën që ky pushtet të përmbyset me revolucion, por me kundërshtim të vendosur qytetar e civil, është thënë më tej aty.
“Ajo që AAK insiston sot e tani, është që të lihet anash retorika politike dhe të kalohet në veprime konkrete. Kjo d.m.th që kundërshtimi të jetë i vazhdueshëm, masovik dhe i vendosur, e mbi të gjitha i pakushtëzuar.
Ata që janë kundër kësaj keqqeverisjeje, duhet të jenë bashkë sot, pa bërë pyetje se ku do të jenë individualisht nesër. Kundërshtimi nuk është për hesape politike, por është për interesin e vendit, për interesin e brezave dhe të fëmijëve tanë”, thuhet në komunikatë.